Shqiptarja e parë drejt Senatit Amerikan! Edlira Sako mesazh diasporës në SHBA: Na duhet çdo votë!
Dritare.net

Edlira Sako, shqiptarja që fitoi kandidaturën demokrate për Senatin e Michiganit rrëfen në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV rrugëtimin e saj nga Shqipëria drejt politikës amerikane. Edlira Sako do të përballet me republikanin Douglas Wozniak në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe u bën thirrje shqiptarëve në SHBA të përfshihen në procesin zgjedhor.
Sako fitoi zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike më 4 gusht 2026, duke marrë 52.6% të votave, kundrejt 47.4% të rivalit të saj Frank Borsellino. Në zgjedhjet e përgjithshme të 3 nëntorit, ajo do të garojë për Distriktin 24 të Senatit të Michiganit përballë kandidatit republikan Douglas Wozniak.
E larguar nga Shqipëria në moshën 32-vjeçare, Sako tregon se nuk e kishte menduar se një ditë do të përfshihej në politikë. Rrugëtimi i saj nisi përmes punës vullnetare në fushata dhe angazhimit në terren, përvoja që e afruan gjithnjë e më shumë me jetën politike amerikane.
“Asnjëherë nuk kam menduar që të përzihesha në politikë, edhe kur isha në Shqipëri”, thotë ajo në intervistën me Rudina Xhungën.
Një moment i veçantë ishte telefonata që mori në vitin 2024 nga demokratët, të cilën fillimisht e ngatërroi me një mesazh spam. Ajo kujton se i kishte thënë bashkëshortit se mendonte që dikush po bënte shaka me të. Por telefonata ishte serioze dhe do të shënonte një hap të rëndësishëm drejt kandidimit. Në intervistë, Sako flet edhe për emocionet, vështirësitë dhe përgjegjësinë që sjell një garë politike, si dhe për njerëzit që e kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi.
Tashmë, sfida e radhës është votimi i 3 nëntorit. Sako u bën thirrje shqiptarëve që jetojnë në SHBA të marrin pjesë në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të komunitetit shqiptar në institucionet amerikane.
“Na duhet çdo votë”, është mesazhi i saj për diasporën shqiptare./K.C/dritare.net