Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Erion Veliaj do të operohet në Spitalin Memorial të Fierit, zbardhen detajet

Erion Veliaj do të operohet në Spitalin Memorial të Fierit,

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale të hënën, më 23 nëntor, në Spitalin Rajonal Memorial Fier, për shkak të një dëmtimi në kavilien e majtë.

Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila bën të ditur se data e operacionit është përcaktuar pas një sërë konsultash dhe ekzaminimesh të kryera nga mjekët specialistë.

Sipas njoftimit, Veliaj do të paraqitet në spital të dielën, më 22 nëntor, për të kryer analizat laboratorike dhe konsultat e nevojshme përpara ndërhyrjes.

Problemet shëndetësore të kryebashkiakut janë ndjekur nga stafi mjekësor i IEVP Fier që prej momentit të pranimit të tij në institucion, kur kishte raportuar dëmtimin në kavilie.

Më 6 nëntor, Veliaj është vizituar nga një mjek ortoped i Spitalit Rajonal Fier, ndërsa më 7 nëntor ka kryer rezonancë magnetike dhe radiografi të kavilies së majtë. Pas vlerësimit të rezultateve, mjekët kanë rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, duke sqaruar se gjendja nuk përbënte urgjencë mjekësore.

Një tjetër konsultë është zhvilluar më 18 nëntor, me pjesëmarrjen e dy mjekëve specialistë ortopedë, të cilët kanë konfirmuar mundësinë e kryerjes së operacionit në Spitalin Memorial Fier.

Drejtoria e Burgjeve bën të ditur gjithashtu se Veliaj ka kërkuar të marrë mendimin e një mjeku specialist të zgjedhur prej tij. Institucioni sqaron se këtij mjeku i është krijuar mundësia për ta vizituar më 18 nëntor, por ai nuk është paraqitur.

Megjithatë, mjeku i përzgjedhur nga Veliaj mund të jetë i pranishëm gjatë procedurave paraoperatore më 22 nëntor ose gjatë ndërhyrjes kirurgjikale më 23 nëntor.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se do të vijojë të garantojë kujdesin e nevojshëm shëndetësor për kryebashkiakun e Tiranës, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e tij./dritare.net/dritare.net