Si funksionon një fermë Bio në Austri? Historia e fermerit që prodhon pa pesticide!
Dritare.net

Çfarë do të thotë të prodhosh vërtet "Bio"? Për fermerin austriak Manuel Freiler, nuk është thjesht një etiketë për të shitur më shtrenjtë produktet, por një mënyrë jetese dhe një përgjegjësi ndaj natyrës.
Ferma familjare e Manuelit është trashëguar brez pas brezi, por vitet e fundit ai ka zgjedhur ta transformojë plotësisht në një fermë organike. Vendimi, sipas tij, nuk u mor për arsye ekonomike, por për të mbrojtur mjedisin dhe për të prodhuar ushqim sa më natyral.
Në 30 hektarët e fermës nuk përdoren pesticide, herbicide apo plehra kimikë. Toka ushqehet vetëm me pleh organik, ndërsa çdo proces zhvillohet sipas standardeve të rrepta të prodhimit biologjik.
Ndryshe nga blegtoria intensive, në fermën e Manuelit kafshët kalojnë pjesën më të madhe të vitit në kullota. 30 lopët mjelëse dhe viçat kanë akses të lirë në natyrë, ndërsa ushqimi i tyre përbëhet kryesisht nga bari dhe foragjeret e prodhuara në fermë, me përdorim minimal të koncentrateve.

Kjo mënyrë prodhimi sjell më pak qumësht sesa fermat intensive, por cilësia është më e lartë. Për këtë arsye, qumështi i Manuelit përpunohet nga një fabrikë e njohur në Vjenë dhe paguhet rreth 10 cent më shumë për litër se qumështi konvencional, duke kompensuar kostot më të larta të prodhimit organik.
Të qenit "Bio" në Austri nuk është thjesht një deklaratë. Ferma kontrollohet çdo vit nga autoritetet, të cilat verifikojnë gjithçka nga farërat dhe plehrat e përdorura, deri te ushqimi i kafshëve dhe dokumentacioni financiar. Vetëm fermerët që plotësojnë të gjitha kriteret mund të mbajnë certifikimin organik.
Për Manuelin, suksesi nuk matet vetëm me litrat e qumështit të prodhuar, por me ndikimin pozitiv që ferma ka mbi tokën, kafshët dhe mjedisin. Modeli i tij tregon se bujqësia organike mund të jetë një biznes i qëndrueshëm, kur mbështetet te standardet e larta, puna familjare dhe respekti për natyrën./dritare.net