
Në shtëpinë time nuk ka njeri, vetëm kujtime! Flet Ilmie Hasani, Bestrovë!
Dritare.net
Ilmie Hasani nga fshati Bestrovë, Vlorë rrëfen jetën e saj si një pensioniste dhe mallin që ndjen për fëmijët në emigrim.
Për Dritare Tv, zonja Hasani tregon shtëpinë ku ka kaluar gjithë jetën e saj, rriti 4 fëmijët dhe pleqëroi me bashkëshortin, i cili ka pak vite që është ndarë nga jeta.
“Këtu banojnë vetëm të moshuar, nuk ka rini, të gjithë kanë ikur në kurbet. Edhe unë jetoj vetëm. Kam katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza, të gjithë në emigrim. Shumicën e kohës e kaloj këtu vetëm, në shtëpinë ku kam lindur dhe rritur fëmijët e mi. Bashkëshorti është ndarë nga jeta para disa vitesh. Kemi punuar së bashku në ndërmarrje, prodhoheshin të gjitha, vreshta, ullinj, shalqi, etj.
Jetoj në fshat me pensionin, 18000 lekë, 7000 lekë paguaj ilaçet për diabet dhe tension. Nuk largohem nga shtëpia, kam mall edhe për tokën që punoja. Kisha vreshtin dhe ullinj, tani që nuk kam fuqi, tokën e punoj me punëtorë. Por ka kosto. Fëmijët nuk kthehen për të punuar tokën, nuk ia dalin dot, nuk ka mbështetje për bujqësinë në këtë vend.
Edhe infrastruktura në këtë fshat ka qenë e dobët, rruga pak ditë ka që është asfaltuar. Edhe furnizimi me ujë është problem”, tregon zonja Hasani./M.K-dritare.net

















