Shqipëria reagon pas deklaratës së Zelenskyt për Kosovën
Dritare.net

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd, lidhur me qëndrimin e Ukrainës ndaj pavarësisë së Kosovës.
Në deklaratën e saj, Ministria thekson se Kosova dhe Ukraina janë dy çështje të ndryshme dhe kundërshton çdo përpjekje për të vendosur paralele mes tyre.
Tirana thekson se Shqipëria mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa njëkohësisht qëndron në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj euroatlantik.
Ministria rikujton gjithashtu se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Sipas Tiranës, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë dhe të kontribuojë në paqen e qëndrueshme në rajon.
Në deklaratë thuhet se vizita e Zelenskyt në Serbi i shërben interesave të Ukrainës, ndërsa Shqipëria vlerëson çdo hap që e afron Serbinë me Evropën dhe e largon nga ndikimi rus./L.F-dritare.net