Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëria mes vendeve pararojë të zgjerimit të BE-së, Marta Kos zbulon hapat e ardhshëm

Shqipëria mes vendeve pararojë të zgjerimit të BE-së,


Shqipëria është renditur mes katër vendeve kandidate që Komisioni Evropian i konsideron më të avancuara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka bërë të ditur se Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina do të jenë vendet e para për të cilat Komisioni Evropian do të hartojë udhërrëfyes të posaçëm për hapat e ardhshëm drejt anëtarësimit. Dokumentet pritet të publikohen së bashku me raportet vjetore të zgjerimit, në fund të tetorit.

Gjatë konferencës për shtyp pas prezantimit të paketës për përgatitjen e Bashkimit Europian për zgjerimin e ardhshëm, Kos tha se dokumenti shënon nisjen e një faze të re në përgatitjen e BE-së për një Union me më shumë anëtarë.

“Shpresojmë që ky komunikim të jetë fillimi i një diskutimi mbi mënyrën se si të përgatitemi sot për Evropën më të fortë që duam të jemi nesër”, deklaroi ajo.

Sipas Kos, hapi i parë do të jetë publikimi i udhërrëfyesve për vendet kandidate më të avancuara. Këto dokumente do të shoqërojnë raportet e zgjerimit dhe do të përcaktojnë hapat e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit.

Hapi i dytë lidhet me integrimin gradual. Komisioni Europian do të hartojë një pasqyrë të instrumenteve ekzistuese dhe deri në fund të tetorit pritet të prezantojë një qasje të re për përfshirjen më të madhe të vendeve kandidate në politikat dhe programet e BE-së, edhe përpara anëtarësimit të plotë.

Hapi i tretë ka të bëjë me përgatitjen e një kuadri të detajuar garancish që do të përfshihen në traktatet e ardhshme të anëtarësimit. Sipas Kos, këto mekanizma do të zbatohen për herë të parë në rastin e Malit të Zi, për të cilin ka nisur tashmë puna për hartimin e traktatit të anëtarësimit.

Ndërsa hapi i katërt lidhet me Ukrainën dhe sektorin e saj bujqësor. Komisioni do ta marrë në konsideratë këtë sektor gjatë diskutimeve për hapjen e Klasterit 5, me synimin që anëtarësimi i Ukrainës të mos ketë ndikim negativ te fermerët e BE-së, por njëkohësisht t’i mundësojë vendit rikthimin e aksesit në tregjet e tij tradicionale të eksportit.

Në përfundim, Marta Kos tha se Komisioni Europian vlerëson se zgjerimi i BE-së është i mundur brenda kuadrit aktual, por kërkon institucione më fleksibël dhe një proces vendimmarrjeje më efikas.

Ajo theksoi gjithashtu se paketa parashikon mekanizma më të fortë për reagimin ndaj shkeljeve serioze të shtetit të së drejtës, përfshirë pezullimin e fondeve europiane ose kufizimin e së drejtës së votës. Për Ukrainën, ndërkohë, parashikohen masa të posaçme për sektorin bujqësor./dritare.net