
Si jetoi në kushte të vështira Ismail Kadare gjatë viteve '66 kur e transferuan në Berat! Flet gazetari!
Dritare.net

Gazetari sportiv Skifter Këlliçi në Shqip nga Rudina Xhunga rrëfeu njohjen e tij me shkrimtarin e ndjerë Ismail Kadare, i cili ndërroi më 1 korrik në moshën 88-vjeçare.
Në rrëfimin e tij, gazetari tregoi një pjesë të Kadaresë që pak dihet, jetën e vështirë në Berat rreth viteve 1966.
“Unë kam kujtime me Ismail Kadarenë, qysh në vitin 1958 kur ai ishte student i vitit të katërt në Fakultetin Histori-Filologji dhe unë isha në vit të tretë. Aty u njohëm sepse unë mora pjesë në një konkurs letrar për tregim. Kadare fitoi çmimin e parë, Dhimitër Xhuvani, që ishte në klasë me mua mori çmimin e dytë, unë mora çmimin e tretë. Pastaj ai shkoi me studime në Bashkimin Sovjetik dhe kur u kthye në 1961 unë isha gazetar në Radio Tirana dhe bëra një intervistë me të.
Me Kadarenë patëm marrëdhënie më të ngushta kur ai me të ashtuquajturën qarkullim kuadri të shkrimtarëve në vitin 1966 u transferua në Berat si shkrimtar dhe unë si korrespodent i gazetës Drita. Unë u transferova nga Radio Tirana, në Berat si mësues.
Ishim në Berat të dy. Kadareja jetonte në një apartament me dy dhoma dhe një kuzhinë. Ai kishte një dhomë dhe një dhomë e një kuzhinë e kishte një tjetër. Kadare kishte një shtrat portativ, një tryezë, një karrige dhe tri gozhda që varte rrobat e tij. Kështu ka jetuar për dy vjet Kadareja në Berat, ku shkoi të njihte nga afër realitetin shqiptar. Ai jetoi në kushte të mjerueshme për dy vjet. Vetëm flinte në atë dhomë të ftohtë që nuk kishte as sobë, mund të lexonte ose skiconte ndonjë gjë, por nuk shkroi. Kohën tjetër e kalon në ambientet e tekstileve dhe pasdite në klube, pinte ndonjë kafe.
Kjo ishte jeta e një shkrimtari që kishte shkuar në një qytet industrial si Berati, për t’u njohur me jetën e lumtur të tyre. Çfarë ironie e fatit. Gjatë kësaj kohe u takuam, biseduam, u lidhëm ngushtë. Sa herë që ai vinte në Tiranë, vija dhe unë. Shkoja në shtëpinë e rij, Helena ishte redaktore në gazetën Pioneri. Kështu u krijua një ambient familjar, unë me Kadarenë ishim miq të ngushtë, edhe gruaja ime dhe Helena ishin mikesha. Kadareja nga paraqitja dukej i ftohtë, por ai bënte biseda, bënte shaka midis nesh, nxehej ndonjëherë, nuk ishte siç dukej.
Kadare thithte çdo gjë si magnet, çdo bisedë, çdo fjalë, edhe pastaj e filtronte në laboratorin e tij krijues dhe krijonte figurat që ne i njohim shumë mirë. Kadareja ishte bir qytetari, ama e shkruante gjuhën e fshatarit sikur të kishte qenë fshatar si Dritëro Agolli. Kur ishte në Berat, ishte korrespodent i gazetës Drita, shkruante ndonjë artikull, bënte ndonjë shkrim për jetën kulturore në Berat. Ismaili nuk shkroi diçka posaçërisht për Beratin, por mori karaktere dhe i përfshiu në libra. Siç është libri “Dimri i madh", tha gazetari./ M.K-dritare.net

















