Cristiano Ronaldo: Donald Trump mund të ndryshojë botën
Dritare.net

Ylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo, ka dhënë një intervistë për gazetarin britanik Piers Morgan, ku ka folur për figurat me ndikim global dhe për të ardhmen e tij në futboll. Ndër personazhet që, sipas tij, mund të luajnë rol të rëndësishëm në botë, Ronaldo përmendi edhe ish-presidentin amerikan Donald Trump.
“Trump është një nga njerëzit që mund të ndihmojë në ndryshimin e botës,” – u shpreh futbollisti i klubit Al Nassr, duke theksuar rëndësinë e liderëve që “luajnë për paqe dhe unitet”.
Kujtojmë se gjatë verës së kaluar, Ronaldo i kishte dërguar Trump-it një fanelë të firmosur, me dedikimin: “Play for peace” (“Luaj për paqe”). Në të njëjtën intervistë, 39-vjeçari u ndal edhe te Kupa e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ronaldo habiti me deklaratën se nuk e ka më ëndërr fitimin e trofeut më të madh të futbollit ndërkombëtar.
“Si mund të më përcaktojë ajo? Fiton një turne me gjashtë ose shtatë ndeshje… a mendon se kjo është e drejtë?” tha ai, duke shtuar se trashëgimia e tij nuk varet nga një trofe i vetëm, por nga ajo që ka arritur gjatë gjithë karrierës./dritare.net