Shqiponjat që mësojnë gjuhën e nënës në Angli!
Dritare.net

Nga Osmani Caka
Të dashur lexues dhe adhurues të gjuhës sonë shqipe,
Me zemër të mbushur krenarie po shkruaj këto rreshta për disa nga shkollat shqipe që veprojnë këtu në zemër të Anglisë – në Londer, Manchester, Birmingham dhe Liverpool.
Janë vajzat tona me sy shqiponje, që jetojnë e punojnë këtu, por që kurrë nuk e kanë harruar prej nga vijnë. Me shumë dashuri, vullnet dhe përkushtim, ato po punojnë çdo ditë për ta mbajtur gjallë gjuhën, kulturën dhe shpirtin shqiptar ndër brezat e rinj.
Një emër që kurrë nuk do ta harroj është ai i ndjerës Luljeta Nuzi, e ardhur nga Burreli në Londër. Ajo ishte një grua punëtore, e thjeshtë dhe e përkushtuar, e cila me shumë mund e dashuri hapi një nga shkollat e para shqipe në Angli.
Luljeta mbetet një simbol i gruas shqiptare në mërgim, që me zemrën plot atdhedashuri, la gjurmë të pashlyeshme në historinë e arsimit shqip jashtë atdheut.
Pas saj, shumë motra tona po ecin në gjurmët e saj me vendosmëri.
Në Manchester, Erisa Isufaj, me dashurinë e saj për fëmijët dhe kombin, ka marrë iniciativën për të hapur dhe udhëhequr shkollën shqipe me plot sukses.

Në Birmingham, Ardjana Gjoni, një grua e fortë, me sy shqiponje dhe zemër të madhe, punon çdo ditë për të rritur breza që e flasin dhe e duan gjuhën shqipe me krenari.

Ndërsa në Liverpool, këtij karvani të mësimit të gjuhës shqipe i është bashkuar edhe Pranvera Laçi, një pulbardhë e vërtetë e qytetit bregdetar, që me zërin dhe shpirtin e saj u mëson fëmijëve shqiptarë të lexojnë, të këndojnë dhe të kërcejnë shqip.

Siç thotë populli: “Rrushi sheh kokrrën dhe piqet.”
Ashtu po ndodh sot në Angli – vajzat tona, që trashëgojnë gjakun e atyre që qendisën flamurin në Vlorë, po e mbajnë sot të gjallë atë flamur në një nga shtetet më demokratike të botës.
Këto janë shqiponjat e reja të kombit, që me zemrën plot dashuri për atdheun po ngrejnë flamurin kuqezi në çdo qytet anglez.
Në çdo shkollë shqipe të mërgatës dëgjohen zërat e fëmijëve që këndojnë dhe lexojnë në gjuhën e nënës. Dëgjohen vargje, këngë e britma gëzimi që mbushin shpirtin me dritë dhe krenari.
Shpesh i shoh këto gra si engjëj, si yje, si drita të kombit tonë.
Rruga e tyre nuk është e lehtë – është e mbushur me pengesa, sakrifica dhe sfida – por forca e tyre shpirtërore është më e madhe se çdo gur apo mal që mund të dalë përpara.
Edhe në këtë moshë, unë e ndjej veten të bekuar që mund të qëndroj pranë tyre, t’i mbështes dhe t’i përqafoj për çdo sukses të tyre.
Ato ma zgjasin jetën me gëzimin që sjellin çdo ditë – me fëmijët që mësojnë e recitojnë shqip, me flamurin që valon në duart e vogla, me këngën që ringjall shpirtin e kombit.
E ndjej sikur Zoti vetë na i ka dhuruar këto drita të syve tanë.
Si dikur që dy duar u drejtuan drejt qiellit – njëra e Nënës Terezë, që ndriçoi botën me dashuri, e tjetra e Nënës së Ilir Cakës, që dha djalin për lirinë e Kosovës më 13 prill 1999, në brigjet e Lepencit – sot ato duar dritë po udhëheqin brezat e rinj në Angli.
Kur dëgjova për herë të parë se në Manchester, engjëllesha jonë Erisa Isufaj kishte marrë iniciativën për të hapur shkollën shqipe, zemra më rrahu fort nga gëzimi.
Të nesërmen e përgëzova dhe i premtova mbështetjen time për sa kohë të kem frymë.
E këshillova që rruga do të jetë me pengesa e fjalë të rënda, por nëse ka vendosur, të mos ndalet kurrë.
Ajo më tha me zë të fortë:
“Zoti Osmani, nuk do të ndalem kurrë, edhe nëse do të kem pengesa.”
Ato fjalë më mbetën në zemër. I urova punë të mbarë e suksese, dhe ajo më falënderoi me dashuri e respekt.
Kur më ftoi në ditën e shkollës, takova edhe zonjën Ardjana Gjoni, një grua që të frymëzon me forcën, urtësinë dhe patriotizmin e saj.
Ajo është si një motër për mua – një shqiptare e madhe në shpirt e në veprim.
Sot jam i lumtur e krenar që mund ta them me bindje: e ardhmja e fëmijëve dhe e rinisë sonë është në duar të sigurta.
Këto gra janë shpresa, drita dhe fryma e kombit tonë.
Tashmë po afrohet Dita e Pavarësisë – 28 Nëntori, dhe fëmijët po përgatiten me entuziazëm për ta festuar.
Si bletë të zellshme, ata mësojnë këngët, recitimet dhe vallet që do të ngjallin emocion në çdo zemër shqiptari.
Edhe pse shumë prej tyre kanë lindur në Angli, në zemrat e tyre rreh dy dashuri – për atdheun ku lindën dhe për atdheun e prindërve të tyre.
Në festat e shkollave të tyre valojnë gjithmonë dy flamuj – ai kuqezi dhe ai anglez – në një bashkim të bukur miqësie e krenarie.
Uroj që Zoti t’ju japë shëndet e forcë, që të mos ndaloni kurrë.
Fluturoni lart, o shqiponja të gjuhës shqipe – se kombi ju pret me zemër të hapur./dritare.net