Na ndiqni edhe në

Shqip

Gazetari Skifter Këlliçi: Ismail Kadare më bëri shkrimtar!

Gazetari Skifter Këlliçi: Ismail Kadare më bëri shkrimtar!

Këtë gusht Skifter Këlliçi mbush 70 vjet si gazetar sportiv dhe ka shkruar dhjetëra artikuj për sportin. Jo vetëm në sport, por dhe shkrime autobiografike, historike, romane e novela. Për këto të fundit kontribut të madh ka edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare. Në një rrëfim për gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV Skifter Këlliçi tregon se si u njohën me Kadarenë, nga koha kur ishin studentë, te transferimi në Berat, vizitat e shpeshta në klubin e shkrimtarëve dhe kështu u bënë shokë të ngushtë. Kadareja më bëri shkrimtar, thotë zoti Këlliçi. Duke lexuar romanët “Kronikë në gur” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” përfitoi edhe nga stili i Kadaresë, pati një ngritje profesionale nga narracioni, përshkrimi i personazheve, të vendeve. Vdekja e Kadaresë, rrëfen gazetari, me shkaktoi një tronditje të madhe, sepse te Kadareja kam parë së pari shokun, bashkëstudentin, kolegun dhe mbi të gjitha mësuesin tim.


“Unë kam kujtime me Ismail Kadarenë, qysh në vitin 1958 kur ai ishte student i vitit të katërt në Fakultetin Histori-Filologji dhe unë isha në vit të tretë. Aty u njohëm sepse unë mora pjesë në një konkurs letrar për tregim. Kadare fitoi çmimin e parë, Dhimitër Xhuvani, që ishte në klasë me mua mori çmimin e dytë, unë mora çmimin e tretë. Pastaj ai shkoi me studime në Bashkimin Sovjetik dhe kur u kthye në 1961 unë isha gazetar në Radio Tirana dhe bëra një intervistë me të. Pastaj ai frekuentonte klubin e shkrimtarëve, luante shah, unë përfitova nga vizituat që bënte shpesh në klub dhe kështu u njohëm më mirë. Më vonë u njohëm edhe me Helenën dhe kjo miqësi vazhdoi edhe më vonë. Unë në vitin 1968 u bëra shkrimtar për herë të parë me një vëllim me tregime sportive. Me Kadarenë patëm marrëdhënie më të ngushta kur ai me të ashtuquajturën qarkullim kuadri të shkrimtarëve në vitin 1966 u transferua në Berat si shkrimtar dhe unë si korrespodent i gazetës Drita. Unë u transferova nga Radio Tirana, në Berat si mësues. Ishim në Berat të dy. Kadareja jetonte në një apartament me dy dhoma dhe një kuzhinë. Ai kishte një dhomë dhe një dhomë e një kuzhinë e kishte një tjetër. Kadare kishte një shtrat portativ, një tryezë, një karrige dhe tri gozhda që varte rrobat e tij. Kështu ka jetuar për dy vjet Kadareja në Berat, ku shkoi të njihte nga afër realitetin shqiptar. Ai jetoi në kushte të mjerueshme për dy vjet. Vetëm flinte në atë dhomë të ftohtë që nuk kishte as sobë, mund të lexonte ose skiconte ndonjë gjë, por nuk shkroi. Kohën tjetër e kalon në ambientet e tekstileve dhe pasdite në klube, pinte ndonjë kafe. Kjo ishte jeta e një shkrimtari që kishte shkuar në një qytet industrial si Berati, për t’u njohur me jetën e lumtur të tyre. Çfarë ironie e fatit. Gjatë kësaj kohe u takuam, biseduam, u lidhëm ngushtë. Sa herë që ai vinte në Tiranë, vija dhe unë. Shkoja në shtëpinë e rij, Helena ishte redaktore në gazetën Pioneri. Kështu u krijua një ambient familjar, unë me Kadarenë ishim miq të ngushtë, edhe gruaja ime dhe Helena ishin mikesha. Kadareja nga paraqitja dukej i ftohtë, por ai bënte biseda, bënte shaka midis nesh, nxehej ndonjëherë, nuk ishte siç dukej.

Kadare thithte cdo gjë si magnet, çdo bisedë, çdo fjalë, edhe pastaj e filtronte në laboratorin e tij krijues dhe krijonte figurat që ne i njohim shumë mirë. Kadareja ishte bir qytetari, ama e shkruante gjuhën e fshatarit sikur të kishte qenë fshatar si Dritëro Agolli. Kur ishte në Berat, ishte korrespodent i gazetës Drita, shkruante ndonjë artikull, bënte ndonjë shkrim për jetën kulturore në Berat. Ismaili nuk shkroi diçka posaçërisht për Beratin, por mori karaktere dhe i përfshiu në libra. Siç është libri “Dimri i madh”.

Ishte Ismail Kadareja që më nxiti mua ta shkruaj romanin tim të parë. Unë tregimin e parë ia kam kushtuar Avni Rustemit, që ka qenë shoku i ngushtë i babait tim dhe është vrarë më 22 prill 1924 në sheshin që ka marrë edhe emrin e tij. Ai vdiq në spital, në duart e xhaxhait tim. Unë e tregova këtë histori. Kadare më tha: Pse nuk shkruan një roman, si e vrau Avni Rustemi, Esat Pashën. Ka materiale në Arkivin e Shtetit. Me ndihmën e një miku, i lexova këto materiale. Ishte skeleti i një materiali kinematografik ose edhe një romani. Në vitin 1974 unë e shkrova romanin i cili u botua në 1978-ën. Për nder të Ismailit, unë ia dhashë romanin Helenës që ta lexonte ajo edhe vajzat. Kadare më tha: Paske nxjerrë një roman të bukur, ti shkruake mirë.” Unë isha asokohe 40 vjeç, tërë ajo përvojë që kishte kaluar nën rrogos shpërtheu një ditë në romanin “Atentat në Paris”. Unë i jam mirënjohës Kadaresë që më nxiti të shkruaj një roman. Sipas tij këto lloj romanesh në Francë quhen dosier, sepse flasin për figura historike.

Kur lexova librin “Kronikë në gur” të Kadaresë vendosa edhe unë të shkruaj një novelë me motive autobiografike. Ideja më erdhi pasi udhëtuam me autobus me Kadarenë nga Berati në Tiranë. Kështu nisa ta shkruaj novelën “Kujtimet e mëhallës së vjetër” dhe ia çova Dhimitër Fullani që ishte shefi në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në 1967. Ai e lexoi dhe ia dha Dhurata Xoxës në këshillin e fëmijëve. “Po ajo nuk është për fëmijë.”, i thashë unë. “Jo”, tha ai. “Unë e kam shkruar si Kronika në Gur e Ismailit. “Është tjetër gjë. Ka tjetër filozofi.”, më tha. Unë në fakt nuk kisha arritur të kuptoja filozofinë e Ismailit, gjenialitetin dhe përshkrimin e ambienteve të Gjirokastrës duke e parë këtë qytet në këndvështrimin e një fëmijë të rritur. Të cilat unë nuk mund t’i bëja kurrë. Megjithatë Dhurata Xoxa më tha: “Skifter ke shkruar një gjë të bukur për fëmijë.” Kur unë nuk dija të tregoja një përrallë për mbesën time. Padashur u bëra shkrimtar për fëmijë, falë Ismail Kadaresë. Odhise Grillo kur lexoi novelën më tha: Skifter ti ke shkruar një nga gjërat më të bukura për fëmijë. Këtë novelë e futi në programin shkollor nga viti 1970 deri në 1990-ën. Kështu falë Kadaresë u bëra shkrimtar për fëmijë. Edhe për novelën e dytë për fëmijë, e cila u bë dhe film nga Xhanfise Keko dhe fitoi çmimin e tretë në Festivalin e Filmit në Itali. E gjitha nga një udhëtim 4 orësh nga Berati në Tiranë, kur Kadare pati kohë të më tregojë edhe gjëra të tjera nga krijimtaria e tij. Duke lexuar romanët “Kronikë në gur” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” unë përfitova edhe nga stili i Kadaresë. Pata një ngritje profesionale nga narracioni, përshkrimi i personazheve, të vendeve. Vdekja e Kadaresë me shkaktoi një tronditje të madhe, sepse te Kadareja kam parë së pari shokun, bashkëstudentin, kolegun dhe mbi të gjitha mësuesin tim, një figurë të madhe nga i cili mëson.”, tregon Skifter Këlliçi në DritareTV./K.C/dritare.net