
Nga Dritan Hila
Katër vitet e fundit, Fatos Nano ishte zhdukur plotësisht nga jeta publike. Janë vite të mjaftueshme për të harruar personazhe publike. Shto edhe 16 të tjera, dhe bëjnë 20 që ai nuk ishte aktiv në politikë.
E megjithatë ajo që nuk pritej ishte prania e njerëzve të thjeshtë në funeralin e tij. Askush nga njerëzit e zakonshëm e të paemër prezent, nuk shkuan aty që të merrnin privilegjet e fundit. Ishte thjesht mirënjohje. Një mirënjohje e cila ka lidhje me personin Nano si njeri dhe si shtetar.
Jeta e Fatos Nanos dhe pasojat e saj në politikë do studiohen qetësisht pas shumë vitesh, atëherë kur edhe arkivat të jenë hapur për studiuesit seriozë. Por Fatos Nanon njerëzit e thjeshtë e deshën për faktin se ai kishte një fat të ngjashëm me të tyren: kishte provuar skamjen, burgun, armiqësitë; kishte veset e tyre dhe pasionet po ashtu.
Fatos Nano ishte njeriu që nuk vrau askënd me armët e shtetit apo me ato të horrave, edhe atëherë kur e lejonte ligji. Ligj që e përmend Berisha sa herë do të justifikojë katër të vrarët në bulevard.
Fatos Nano nuk ngjallte konflikte me gjuhën e tij. Fjalimi më i ashpër i tij ngjan si predikim murgeshash krahasuar me të ngjashmit. Kjo sillte një klimë më të butë sociale. Kurse akti i tolerancës ndaj persekutorëve të tij, do mbetet gjatë i pakrahasueshëm, e si një shenjë emancipimi, ndoshta shumë e parakohshme dhe e pavend.
Fatos Nano lejoi shtetin të merrte frymë. Shpesh kjo ngatërrohet me përtacinë e tij. Por ishte e vetmja rrugë që shteti mos shikohej si mjet i dhunës.
Në llojin e tij ai ishte dhe mbeti një fëmijë i jashtëzakonshëm. Në moshën 15 vjeçare fliste 5 gjuhë. Sikurse në moshë madhore nuk e kishte problem të rrinte edhe me horrat. Sigurisht jo për të mësuar prej tyre, por si pjesë e një bote që donte ta njihte. Këtë ai nuk e fshehu kurrë.
Asnjëherë ai nuk tregoi me njerëzit elitarizmin apo fodullëkun që ia lejonte intelekti i tij dhe pozicioni social. Dhe kjo vlen në një popull të ushqyer me barazitarizmin.
Fenomeni Nano ishte unik, dhe si i tillë bëri që edhe pse tashmë fizikisht merr fund një kohë që ka emrin e tij, njerëzit e thjeshtë vajtën ta nderonin, jo sepse do të merrnin ndonjë favor prej tij, por thjesht për dashuri, duke surprizuar kështu shumëkënd, përfshirë rradhëshkruesin./dritare.net