Vrasja e efektivit në Maliq, Hita dhe Lamallari mbërrijnë në Korçë. Mbledhje urgjente në polici
Dritare.net

Një operacion policor në qarkun e Korçës për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë është shndërruar në një ngjarje tragjike, ku humbi jetën një efektiv dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Maliqit, gjatë një aksioni për lokalizimin dhe arrestimin e Violand Braçellarit. Sipas të dhënave paraprake, në operacion kanë marrë pjesë rreth 40 forca policie, mes tyre edhe 6 efektivë të “Shqiponjave”.
Gjatë përplasjes së zhvilluar në terren, ka mbetur i vrarë efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, ndërsa është plagosur kolegu i tij Edison Adri, i cili është transportuar për mjekim te Spitali i Traumës në Tiranë.
Menjëherë pas ngjarjes, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka mbërritur në Drejtorinë Vendore të Policisë së Korçës, ku është zhvilluar një mbledhje urgjente për të verifikuar të gjitha detajet e planit operacional dhe rrethanat e aksionit.
Në Korçë ka mbërritur gjithashtu edhe ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, ndërsa drejtuesit e lartë të policisë po analizojnë dinamikën e operacionit dhe çdo hap të ndërmarrë në terren.
Më herët, Hita ka vizituar në Spitalin e Traumës efektivin e plagosur, ku është shprehur se Policia e Shtetit “humbi një shërbëtor të qytetarëve” dhe se rasti po trajtohet me prioritet të lartë institucional.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim./dritare.net