Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Vogëlush, ti ke lindur në trup të gabuar!

Vogëlush, ti ke lindur në trup të gabuar!

Nga Xhensil Shkëmbi

Në kopsht, në bankat e vogla me ngjyra, fëmijët vizatojnë diellin dhe shtëpinë. Por nga sot, në vend të përrallave, dikush do t'u flasë për “identitetin gjinor”.

Do t'u thotë: “Ndoshta nuk jeni ata që mendoni se jeni. Ndoshta keni lindur në trupin e gabuar.” Një fëmijë shtatëvjeçar ul sytë. Dëgjon fjalë që s’i kupton, por që e trondisin.

Pyet veten: “Po nëse nesër më thonë se mund të jem dikush tjetër, kush jam unë sot?” A është ky edukim, apo një rrugë e rrëshqitshme drejt humbjes së kuptimit të vetvetes?

Kur biologjia, që na jep gjininë që në lindje, zëvendësohet nga ndjesi kalimtare, çfarë mbetet e vërtetë? Thonë: “Gjinitë janë role. Mund të zgjedhësh.” Këtë thotë edhe projektligji “për barazinë gjinore”, që pritet të miratohet të enjten në Parlament.

Por jeta nuk është teatër, ku veshim kostume sipas ditës. Jeta njerëzore është një unitet i pandashëm fryme dhe trupi. Nuk mund të pohosh njërën duke mohuar tjetrën, sepse atëherë shkatërron identitetin me të cilin je krijuar. Djalë dhe vajzë, burrë dhe grua, baba dhe nënë, janë themelet e krijimit njerëzor. Po i mohuam, bëhemi shkatërrues të vetë shoqërisë.
Unë nuk jam kundër askujt. Por jam kundër ideve që futen fshehurazi në mendjet e fëmijëve, duke u thënë se gjithçka është e ndryshueshme, madje edhe vetvetja.

Sepse fëmijët kanë nevojë për siguri, për drejtim, për të vërtetën. Një shoqëri që ngatërron realitetin me perceptimin,
rrezikon të humbasë njeriun në mes të ideologjive. Ne duhet t’u mësojmë fëmijëve të respektojnë çdo njeri, por edhe të mos humbasin rrënjët e së vërtetës: që të qenit djalë apo vajzë, burrë apo grua, nuk janë kostume shoqërore, janë dhuratë, janë natyrë, janë identitet i pandryshueshëm.

Nëse e pranojmë ndryshe, nesër do t’u mësojmë se gjithçka është relative, edhe vetë e vërteta. Dhe një shoqëri pa të vërtetë, është një shoqëri që rrit fëmijë pa busull. Unë kam vendosur të mos shkruaj më për politikën, pas disa përvojave të hidhura me deputetë të të dyja krahëve.

Por ky nuk është një shkrim politik.

KY ËSHTË NJË SHKRIM PËR JETËN. UNË JAM KUNDËR PROJEKTLIGJIT TË BARAZISË GJINORE, sepse ai cënon shoqërinë shqiptare, familjen dhe rrënjët tona tradicionale. Nesër, ata deputetë që do të votojnë pro, të kujtojnë fëmijët e tyre. VETËM FËMIJËT E TYRE!/dritare.net