Na ndiqni edhe në

Opinione

Thoma Gëllçi: A e njeh kush dorëheqjen në Shqipëri?

Thoma Gëllçi: A e njeh kush dorëheqjen në Shqipëri?

Nga Thoma Gëllçi

Në çdo shoqëri që synon të quhet demokratike, dorëheqja është akt i arsyes dhe jo i frikës. Është një mënyrë për t’i dhënë drejtësisë hapësirën e saj të pastër, pa hije politike e pa ndikime që e kthejnë çdo proces në spektakël. Në Shqipëri, përkundrazi, dorëheqja shihet si disfatë, si “ulje koke”apo si tradhti ndaj partisë . Në të vërtetë është gjesti më i ndershëm që mund të bëjë një njeri publik për të mbrojtur veten dhe për të ruajtur besimin e publikut.


Rasti i zotit Erion Veliajt është ndoshta më ilustruesi i këtij absurdi institucional. Një kryetar bashkie që ndodhet prej muajsh në paraburgim. U arrestua duke qenë në zyrë, pas një vendimi të marrë në “dhomë këshillimi”, pa praninë e tij apo të avokatit të tij. Në fshehtësi. U mbajt në burg pa një akuzë të qartë, por në bazë të një denoncimi anonim. SPAK-ut iu deshën muaj të tërë derisa, më në fund, të hartonte një akuzë zyrtare , por ama u kujdes që pjesë nga dosja hetimore, në mënyrë selektive, të rridhnin nëpër media.


Unë nuk besoj asgjë nga ato që shpërndan SPAK-u lart e poshtë, sepse kam rastin tim konkret: sot, po të pyesësh gjithë shqiptarët se pse u arrestova dhe u dënova unë, të gjithë thonë se u arrestova dhe u dënova për një tender 1 milion euro për hapjen e kanalit televiziv “RTSH Agro”. Bile nje pjese mendojne se 1 milion euro une I kam vjedhur .Në fakt, asgjë e tillë nuk është e vërtetë.Asnjehere nuk u akuzova per ndonje tender, por komunikatat e SPAK qe shperndaheshin neper media e krijuan kete pershtypje. Qoftë akuza zyrtare, qoftë edhe dënimi, është “shpërdorim detyre”, për zgjatjen me disa ditë të afatit të marrjes në dorëzim të pajisjeve të blera nga RTSH. Por këtu nuk po shkruaj as për të bërë analizën e dosjes, as për të marrë në mbrojtje dikë, e as për të treguar se sa larg punës profesioniste është SPAK-u dhe se si funksionion ai si nje zyre dezinformacioni.


Sot kemi një situatë kur Bashkia e Tiranës është kthyer në një lloj zone neutrale: pa kryetar, me një Këshill që e ka shkarkuar, me një vendim qeverie që e ka vulosur, me një dekret presidencial të shfuqizuar dhe me një fushatë të nisur e të ngrirë përgjysmë. Nuk kemi më as pushtet lokal, as opozitë, as garë .Kemi vetëm një qytet në pritje.
Gjykata Kushtetuese ndërhyri duke thënë fjalën e saj : shkarkimi ishte i paligjshëm. Por edhe kjo vendimmarrje, që në çdo shtet normal do të sillte një zgjidhje të menjëhershme, në Shqipëri kthehet në një episod tjetër të një seriali pa fund. Çdo vendim, në vend që të qartësojë, ngatërron edhe më shumë, sepse në thelb mungon vullneti për të respektuar parimet. Dhe ndërsa drejtësia përpiqet të gjejë rrugën në labirintin e politikës, politika ka kohë që ka zënë vendin në korridoret e drejtësisë.


SPAK-u, me metodën e vet të “transparencës selektive”, ka krijuar një atmosferë që ngjan më shumë me një gjyq publik sesa me një proces ligjor. Rrjedhjet e dosjeve, interpretimet mediatike, titujt bombastikë : të gjitha këto krijojnë dënimin moral para çdo vendimi gjykate. Dhe në këtë vorbull, as i akuzuari nuk ka mundësi të mbrohet realisht, as publiku nuk mund të kuptojë ku mbaron ligji dhe ku fillon propaganda.


Në këtë situatë, dorëheqja nuk është vetëm akt moral, por është edhe akt mbrojtjeje personale. Sepse të qëndrosh në zyrë ndërkohë që je nën akuzë, të lidhësh fatin tënd me fatin e institucionit, e kthen çështjen penale në betejë politike. Dhe çdo betejë politike, në Shqipëri, humbet drejtësinë përpara se të fillojë. Dorëheqja, përkundrazi, e zhvesh çështjen nga presioni politik, ia heq armiqtë e rremë dhe e lë individin vetëm përballë ligjit , aty ku duhet të ndodhë çdo proces i drejtë.
Nëse Erion Veliaj do të kishte dhënë dorëheqjen në ditët e para të arrestimit, procesi i tij do të kishte marrë një tjetër rrjedhë: më pak histeri, më shumë qartësi. Ai do të kishte fituar respekt, jo vetëm nga mbështetësit, por edhe nga kundërshtarët.
Sepse publiku shqiptar, ndonëse i lodhur, e di të bëjë dallimin midis një dorëheqjeje dinjitoze dhe një kapjeje pas karriges me thonj. Dorëheqja është një mburojë që e ndan dinjitetin nga turpi, jo një flamur që tundet për t’u dukur më i fortë se drejtësia.
E njëjta gjë vlen për znj. Belinda Balluku, zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, tashmë nën akuzë për tenderin e tunelit të Llogarasë. Në çdo vend të qytetëruar, një ministër që përmendet në një hetim të tillë largohet vetë, për të mos u bërë barrë për qeverinë dhe për të mos i dhënë opozitës argumente të lehta. Në Shqipëri, përkundrazi, fjalori i dorëheqjes është zëvendësuar me fjalë të tilla si “besim”, “durim”, “keqkuptim” madje ndonjëherë me fjalinë e famshme: “Drejtësia do të flasë.”.


Në demokraci, dorëheqja nuk është ndëshkim, por mënyra për të shpëtuar sistemin nga përplasja e interesave. Është mënyra për t’i dhënë vendit mundësinë të ecë përpara, pa mbajtur peng një proces gjyqësor apo një krizë politike. Një zyrtar që largohet përkohësisht nga detyra për t’u përballur me drejtësinë, jo vetëm që ruan nderin e vet, por edhe ndihmon sistemin të funksionojë pa trauma.
Në Shqipëri, dorëheqja shihet si gabim strategjik, pothuajse si mëkati origjinal i politikës. Është shenjë dobësie, mungesë “kurajoje shtetërore”. Prandaj kemi ministra që mbeten në detyrë edhe pasi janë në gjyq, se mos e lënë karrigen bosh e i bie ndonjë tjetër ta ngrohë! Kryetarë bashkish që firmosin tenderë me vulën e burgut, dhe drejtues që besojnë se ligji është i përkohshëm, por karriera politike është e përjetshme.
Në një vend ku dorëheqja shihet si tradhti kombëtare, e ku çdo zyrtar mendon se “më mirë më arrestojnë sesa të më harrojnë”, ideja e përgjegjësisë publike është luks. Dhe të mendosh se President Bajrami do jepte dorëheqje pse paska shkelur Kushtetutën? Jo, ai do të kërkonte që Kushtetuta të ndryshojë për t’u përshtatur me të.
Dorëheqja është akt i lirisë. Është mënyra më e mirë për të mbrojtur veten, për të çliruar institucionin dhe për t’i dhënë drejtësisë frymëmarrjen që i duhet. Nuk është fundi i karrierës por është fillimi i respektit.