Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për Ballukun!
Dritare.net

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka zbardhur vendimin e plotë për çështjen e ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, të marrë më 6 shkurt. Trupa gjykuese është ndarë 4 me 4 dhe, për shkak të mungesës së shumicës së nevojshme, ankimi i kryeministrit Edi Rama është rrëzuar, duke lënë në fuqi masën e pezullimit nga detyra.
Në vendim pasqyrohet se kërkuesi kryeministri ka pretenduar ekzistencën e një mosmarrëveshjeje kompetence mes tij dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) të Shkallës së Parë, nga ana tjetër. Sipas tij, pezullimi i një anëtari të qeverisë cenon funksionimin e Këshillit të Ministrave dhe ndërhyn në kompetencat kushtetuese të kryeministrit për përbërjen e kabinetit, duke prodhuar një “shkarkim de facto”.
Në argumentimin e paraqitur, theksohet se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit dhe se çdo masë pezullimi ndaj një ministri duhet të ketë një parashikim të shprehur në Kushtetutë. Sipas këtij qëndrimi, mungesa e një dispozite të qartë për pezullimin e ministrit e bën të papranueshme ndërhyrjen e gjykatës në këtë nivel.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Kuvendi i Shqipërisë, si subjekt i interesuar në proces, duke argumentuar se ndërhyrja gjyqësore në përbërjen e një qeverie të votëbesuar nga Kuvendi përbën cenim të kompetencave kushtetuese të organit ligjvënës. Sipas Kuvendit, pezullimi i një ministri krijon një situatë të paprecedentë, që ndikon drejtpërdrejt në funksionalitetin e pushtetit ekzekutiv dhe në marrëdhënien institucionale mes dy pushteteve.
Megjithatë, për shkak të ndarjes së barabartë të votave në Gjykatën Kushtetuese, kërkesa e kryeministrit nuk mori mbështetjen e nevojshme dhe masa e vendosur nga GJKKO mbetet në fuqi. Vendimi nxjerr në pah një debat të thellë mbi kufijtë mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv, si dhe mbi interpretimin e imunitetit dhe mandatit të anëtarëve të qeverisë në raport me hetimet penale./dritare.net