Gazetari Roland Qafoku nderohet nga UÇK me certifikatë mirënjohjeje
Dritare.net

Gazetari Roland Qafoku vlerësohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së me certifikatë mirënjohjeje. Astrit Hyskaj, një nga drejtuesit e kësaj organizate, i dorëzoi zotit Qafoku vlerësimin me motivacionin për mbulimin si gazetar të veprimtarisë së UÇK gjatë gjithë aktivitetit të saj. Huskaj deklaroi se pas disa propozimeve të mbërritura, organizata e vlerësoi gazetarin Qafoku për të gjithë aktivitetin e tij si gazetar për 3 dekada.

Vlerësimi lidhet për kontributin e tij në pasqyrimin e ngjarjeve të UÇK-së gjatë gjithë kësaj karriere, me raportime, shkrime, komente, analiza, intervista, por edhe me drejtimin e disa gazetave dhe redaksive të televizioneve nga më të rëndësishme në Shqipëri. Vlerësimi është bërë gjithashtu edhe për drejtimin e emisioneve politikë që Roland Qafoku ka bërë dhe bën aktualisht në televizione dhe qendrimet që ai ka mbajtur ndaj UÇK-së.
Aktualisht gazetari Qafoku drejton emisionin “Dekalog” në platformën televizive në youtube “Dritare TV”. Në momentin e marrjes së këtij vlerësimi gazetari Roland Qafoku tha se mes disa çmimeve që ai ka marrë në karrierën e vet ky është më rëndësishmi.
“Në karrierën time si gazetar dhe krijues, jam vlerësuar me disa çmime dhe certifikime, por për mua ky është më i rëndësishmi, sepse lidhet për çështjen më patriotike të kombit shqiptar, për më tepër që më jepet direkt nga ata që shkruan epopenë më të lavdishme në histori”, tha Qafoku.
Më tej ai shprehu mirënjohje për të gjithë ata që e propozuan këtë vlerësim dhe ata që miratuan.
Gazetari Qafoku ka një karrierë prej 30 vjetësh në media dhe mban gradën Doktor i Shkencave. Ai e ka nisur karrierën si reporter i kronikës së zezë në gazetën “Koha Jonë” dhe më pas ka drejtuar gazetat “Koha Jonë”, “Panorama”, “Tirana Observer”, “Fjala” si dhe ka qenë drejtor informacioni në televizionet “TV Koha” dhe “Ora News”. Prej 16 vjetësh Roland Qafoku ka qenë drejtues i disa emisioneve politikë në televzionet “Ora News”, “Planet TV”, “Channel One”, “Fjala TV”, “RTSH” dhe “Dritare TV” si dhe analist në disa emisione televizivë.
Qafoku është autor i intervistave të rreth 3 mijë personazheve si dhe autor i 7 librave studimorë në fushën e historisië dhe medias si “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë. Nga Ismail Qemali te Edi Rama”; “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar, 1912-2017. “50 pyetje për 50 personazhe. Historitë e jetës së shqiptarëve më të famshëm”; “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri 1922-2022. Në 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA”; “100 sportistët më të mirë të Tiranës, (në të gjitha kohët); “100 personalitetet më të spikatura të Skraparit” dhe “11 presidentë në 100 vjet presidencë”./dritare.net