Na ndiqni edhe në

Shqip

Lufta Iran-Izrael-SHBA. Arben Çuko: Çfarë po presin Rusia dhe Kina!

Lufta Iran-Izrael-SHBA. Arben Çuko: Çfarë po presin Rusia dhe


Nga studioja e emisionit Shqip nga Dritan Hila në DritareTv, eksperti i sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Çuko, ofroi një analizë të thelluar mbi konfliktin në rritje mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, kjo nuk është thjesht një përplasje mes shtetesh të Lindjes së Mesme, por një lëkundje gjeopolitike me pasoja globale që mund të prekin edhe vende të vogla si Shqipëria.

Çuko e cilësoi sulmin e Iranit ndaj Izraelit si “një moment që ndryshoi balancat e rajonit” dhe nxori në pah përshkallëzimin e një konflikti të gjatë në hije.

“Nuk jemi më në një fazë tensioni diplomatik, por në prag të një lufte të re të hapur. Irani nuk fshihet më pas grupimeve proksi si Hezbollah apo Houthit. Sulmi direkt ndaj Izraelit është një mesazh i qartë për rajonin dhe botën,” – deklaroi Çuko.


Çuko vlerësoi se ky nuk do të jetë një konflikt i shpejtë apo i lokalizuar, por një proces që mund të zgjasë me muaj apo edhe vite, me valë dhune që do përhapen edhe përtej kufijve të rajonit.

“Kemi hyrë në një cikël të ri lufte hibride, ku përveç armëve dhe dronëve, do të përdoren edhe armë ekonomike, sulme kibernetike dhe presione diplomatike. Çdo aktor rajonal po pozicionohet. Arabia Saudite është në dilemë, Turqia ndjek me kujdes, ndërsa Rusia dhe Kina po shfrytëzojnë momentin për të forcuar ndikimin e tyre.”

Ai paralajmëroi se një përballje direkte SHBA-Iran nuk është më e paimagjinueshme.

“Mos të harrojmë, në këtë konflikt çdo gabim llogaritjeje mund të çojë në përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake mes Teheranit dhe Uashingtonit, çka do të ndryshonte krejt logjikën e konfliktit në Lindjen e Mesme.”

Çuko theksoi se Evropa, edhe pse nuk është aktore direkte, do të preket thellësisht në disa drejtime: energjia, çmimet, flukset e refugjatëve dhe siguria.

“Nëse situata del jashtë kontrollit, ne do shohim një rritje dramatike të çmimeve të naftës dhe gazit. Kjo do ndikojë zinxhirin ekonomik në të gjithë kontinentin. Shqipëria, si pjesë e rajonit europian, nuk do shpëtojë dot nga pasojat.”

Ai paralajmëroi edhe për një valë të re refugjatësh që mund të përfshijë edhe Ballkanin.

“Nëse lufta përshkallëzohet në Irak, Siri apo Liban, flukset drejt Europës do shtohen, dhe natyrisht edhe vendi ynë do përfshihet në itineraret e tyre. Shqipëria është e detyruar të pozicionohet në përputhje me aleancat e saj, por duhet të veprojë me shumë maturi diplomatike.”
I pyetur për qëndrimin e Shqipërisë, Çuko u shpreh qartë:

“Ne jemi një vend anëtar i NATO-s dhe aleat i SHBA. Kjo na vendos qartë në krah të Perëndimit. Por nuk duhet të harrojmë se jemi në një rajon të brishtë, ku çdo nxitim në pozicionim mund të ketë pasoja të brendshme dhe të jashtme.”

Ai theksoi nevojën për një qasje të balancuar, që të ruajë interesat strategjike të vendit, por pa hyrë në aventurë diplomatike apo ushtarake.

“Shqipëria nuk është aktore në këtë konflikt, por duhet të jetë e përgatitur për çdo zhvillim, qoftë në planin ekonomik, social apo të sigurisë. Maturia, koordinimi me partnerët dhe informimi korrekt i opinionit publik janë thelbësore në këtë moment.”
Në analizën e tij përmbyllëse, Arben Çuko e përshkroi këtë luftë si një përplasje jo vetëm ushtarake, por edhe ideologjike e strategjike.

“Ky është një ballafaqim mes dy botëkuptimesh: një që mbështet rendin liberal ndërkombëtar dhe një tjetër që kërkon ta zhbëjë atë. Kjo nuk është thjesht një çështje mes Iranit dhe Izraelit. Është një kapitull i ri në betejën për të ardhmen e rendit global.”

Në këtë klimë tensioni dhe pasigurie, mesazhi i tij është i qartë: maturi, përgatitje dhe diplomaci aktive. Sepse, siç e përmbylli Çuko, “në një botë që digjet, asnjë vend nuk mund të qëndrojë neutral apo i paprekur.”/K.C/dritare.net