Na ndiqni edhe në

Shqip

Kush e shiti Çamërinë? Flet studiuesi Evarist Beqiri!

Kush e shiti Çamërinë? Flet studiuesi Evarist Beqiri!

Në një intervistë në emisionin Shqip nga Dritan Hilën në DritareTV, analisti dhe studiuesi Evarist Beqiri trajtoi një nga temat më të nxehta dhe të diskutueshme në opinionin publik shqiptar: “A e shiti Ismail Qemali Çamërinë?”. Përgjigjja e tij ishte e prerë dhe e mbështetur në argumente historike dhe juridike: Jo, Çamëria nuk është shitur nga Ismail Qemali.

Beqiri solli në vëmendje karrierën e gjatë diplomatike të Ismail Qemalit përpara shpalljes së pavarësisë. Në vitet 1870, ai ishte një figurë kyçe në administratën osmane, duke shërbyer si guvernator në territoret që sot përfshijnë Rumaninë dhe Bullgarinë. Ai përfaqësonte Perandorinë Osmane në organizata ndërkombëtare të rëndësishme, përfshirë një agjenci sigurie që vepronte në Danub dhe që sot njihet si një nga modelet e para të bashkëpunimit ndërkombëtar.

"Ismail Qemali ishte një personalitet i njohur në qarqet diplomatike evropiane, mik me kryeministra të Francës dhe figura si Viktor Hygoja," tha Beqiri, duke shtuar se firmëtarët e Pavarësisë ishin njerëz me influencë, edhe pse në kontekstin e kohës dhe rajonit tonë.

Sipas Beqirit, pretendimet se Çamëria është “shitur” janë të pabaza. “Delegatët në Kuvendin e Vlorës vinin nga të gjitha krahinat, përfshirë edhe Çamërinë,” tha ai, duke theksuar rëndësinë që kishte përfaqësimi i të gjitha viseve shqiptare në procesin e shpalljes së pavarësisë.

Beqiri përmendi faktin se Ismail Qemali, edhe pas shpalljes së pavarësisë, vazhdoi të kërkonte bashkimin e territoreve shqiptare, përfshirë Çamërinë, Epirin, Kosovën dhe Manastirin. “Ai luftoi për këto territore deri në fund të jetës dhe ka gjasa të jetë eliminuar helmuar pikërisht për këto përpjekje,” theksoi ai.

Sipas Beqirit, akuzat për “shitjen” e Çamërisë janë teza dashakeqe që mbrohen nga individë që ndjekin interesa të caktuara, ose thjesht përfaqësojnë një nivel të ulët njohurie historike. “Këto janë teza që i shërbejnë agjendave të ndryshme, ose janë thjesht produkt i injorancës,” u shpreh ai. “Si çdo komb, edhe ne kemi idiotë të dobishëm që përdoren për arsye të ndryshme.”

Ai vuri në dukje se në media shpesh këto teza marrin më shumë vëmendje sesa e vërteta historike, për shkak të natyrës sensacionale që kanë. “Është si me ata që thonë se toka është e sheshtë, nuk mund t’i japësh hapësirë në media serioze.”

Beqiri solli në vëmendje edhe kontekstin politik të fillim-shekullit XX, ku Ismail Qemali, së bashku me figura të tjera si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Syrja Vlora dhe Isa Boletini, organizuan shpalljen e pavarësisë si një proces i mirëkoordinuar, jo si një akt i rastësishëm. “Në janar 1912, ata ndanë detyrat: Ismaili do të siguronte mbështetjen ndërkombëtare, armët dhe përfaqësimin diplomatik, ndërsa të tjerët do të nxisnin kryengritjet në terren,” tha ai.

Ai përmendi gjithashtu Memorandumin e Gërçës dhe kërkesat e shqiptarëve për autonomi, përdorimin e gjuhës shqipe dhe vetëqeverisje, të cilat u përkrahën fuqishëm nga Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij.
Çamëria nuk është shitur nga Ismail Qemali.
Kjo është një tezë e rreme, e cila bie poshtë përballë fakteve historike, përfaqësimit të Çamërisë në shpalljen e Pavarësisë, dhe qëndrimeve të vetë Ismail Qemalit në mbrojtje të territoreve shqiptare deri në fund të jetës së tij./K.C/dritare.net