Na ndiqni edhe në

Shqip

Jo, Austria nuk e bëri Shqipërinë! Historiani rrëzon mitin e madh për pavarësinë

Jo, Austria nuk e bëri Shqipërinë! Historiani rrëzon mitin e

Në një intervistë në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTv, studiuesi dhe autori Evarist Beqiri solli një analizë të thelluar për figurën shtetformuese të Ismail Qemalit, duke theksuar lidershipin e tij unik dhe rolin përcaktues në themelimin e shtetit shqiptar. Emisioni, i zhvilluar në një atmosferë postzgjedhore, kishte për qëllim të bënte dallimin midis një burri shteti të vërtetë dhe politikanëve të ditës.

“Doja të bënim një emision për Ismail Qemalin edhe për të bërë një diferencë midis një burri shteti dhe politikanëve të sotëm, midis dikujt që themeloi Shqipërinë dhe të tjerëve që duan të hanë Shqipërinë”, u shpreh Dritan Hila në hyrje të emisionit.

Evarist Beqiri sfidoi një nga narrativat e zakonshme mbi rolin e austro-hungarezëve në krijimin e shtetit shqiptar. “Nuk do të thoja pse e zgjodhën austriakët, po do thoja pse Ismail Qemali ishte në gjendje t’u imponojë”, u shpreh ai. Sipas Beqirit, nuk ishin perandoritë ato që vendosën për fatin e Shqipërisë, por aftësia e një kombi dhe e një lideri për t’u imponuar mbi rrethanat.

Ai shtoi: “Austro-Hungarezët patjetër që ishin aty… por nuk është se ata e bënë Shqipërinë. Është krijuar kjo ideja, e mbështetur dhe nga ca ‘historianë’ në thonjëza, që janë më shumë sipërfaqësorë e ndonjëherë edhe sharlatanë.”

Për të theksuar këtë ide, Beqiri solli një episod pak të njohur nga kujtimet e Thoma Panos, patriot dhe pjesëmarrës në qeverinë e Vlorës. Ai tregoi se përpara nisjes së një delegacioni shqiptar në kancelaritë europiane në gusht të vitit 1913, Ismail Qemali i kishte pritur personalisht dhe u kishte dhënë porosi të qarta.

“Na priti në zyrën e tij dhe na dha disa porosi. I tha: ‘Nëse ndonjëri nga ju është pjesë e ndonjë lozhe masonike, të provokojë një mbledhje për t’i ndërgjegjësuar për çështjen shqiptare’”, tregoi Beqiri duke cituar kujtimet e Panos.

Në këtë delegacion bënin pjesë emra të rëndësishëm si Myfit Libohova, Petro Poga, Syrja Vlora, Eqerem Vlora e vetë Thoma Pano. Ata u pritën në kancelaritë europiane, përfshirë në Romë dhe Vjenë, ku sipas Beqirit, ndonëse Austria kishte ndikim, nuk ishte ajo që e përcaktoi liderin shqiptar.

“Konti Berchtold, që shpesh quhet arkitekti i Shqipërisë, e pranoi se Ismail Qemali nuk ishte i preferuari i tyre. Ata do të kishin dashur më shumë Syria Vlorën apo Eqerem Vlorën. Por Ismail Qemali u imponua, sepse ishte një lider që nuk kontrollohej dot”, theksoi Beqiri. Sipas tij, kjo ishte edhe arsyeja pse fuqitë e mëdha nuk e përkrahën fort tërësinë territoriale të Shqipërisë. “Ata e donin Shqipërinë, por një Shqipëri me një qeveri kukull, të kontrollueshme. Ismail Qemali nuk binte pre e lojërave të vogla të politikës ndërkombëtare apo të brendshme.”

Në fund, Beqiri bëri një thirrje për të mos glorifikuar ndihmën e huaj në mënyrë të pavend: “Le t’ua njohim rolin e tyre, por mos t’u japim më shumë se ç’duhet. Shqipërinë nuk e krijoi askush me dekret. Shqipërinë e krijoi vullneti dhe aftësia e vetë shqiptarëve dhe lidershipi i Ismail Qemalit.”/K.C/dritare.net