Na ndiqni edhe në

Shqip

E shiti Ismail Qemali, Çamërinë? Evarist Beqiri tregon të vërtetën e fshehur

E shiti Ismail Qemali, Çamërinë? Evarist Beqiri tregon të

Në një intervistë me gazetarin Dritan Hila në emisionin Shqip në DritareTv studiuesi dhe diplomati Evarist Beqiri rrëzoi disa prej tezave më të debatuara që hidhen ndaj figurës së Ismail Qemalit përfshirë pretendimet se ai “shiti” Çamërinë dhe se martesa e tij me një grua greke kishte ndikim negativ në çështjen shqiptare.
“Ka një akuzë për Ismail Qemalin që e shiti Çamërinë sepse u martua me një greke. Por në ato kohë, në ato zona, grekët nuk ishin këta që janë sot. Po të martoheshe me një greke, i bëje nder grekut, jo ai ty,” tha Hila. Beqiri e cilësoi këtë akuzë si të pabazë, madje theksoi aspektin njerëzor të martesës së Qemalit:

“Ai ka nënshkruar një kontratë martesore që nuk do të bënte poligami. Ishte një akt jashtëzakonshëm për kohën. E mori me dashuri. Ishin të rinj, ai 23 vjeç, ajo më e re. Dhe jo vetëm që fliste shqip, por kishte prejardhje nga arvanitasit,” shtoi Beqiri, duke përmendur edhe dëshmitë e patriotit Beshir Vero Kanina që e kishte takuar gruan e Ismail Qemalit në Kaninë.

Sa i përket akuzës për “shitjen” e Çamërisë, Beqiri ishte i prerë: “Që ta shesësh diçka, duhet ta kesh. Ai nuk e kishte Çamërinë që ta shiste. Dokumentet tregojnë se ai u bënte thirrje shqiptarëve: Luftoni, mos dezertoni. Aq kishte në dorë, aq mund të bënte,” shtoi ai, duke përmendur se mbrojtja e qytetit ishte dezorganizuar dhe kishte dezertime të mëdha, ndërkohë që ishte një kohë lufte me forca të pabarabarta.“Faji nuk është tek Ismail Qemali. Ai ndezi flakën e lirisë. Më pas duhej ta ruanim dhe ta zgjeronim,” theksoi Beqiri.

Ndërsa disa figura të tjera të kohës e kritikuan fillimisht, më vonë pranuan mençurinë e veprimeve të tij.
“Po dalin disa që thonë ‘na e bëri Shqipërinë të vogël’. Po pse, kush e pengoi Hasanin apo ndonjë tjetër ta bënte më të madhe?”, pyet retorikisht Beqiri.

“Po të mos ishte bërë ajo Shqipëria e vogël, sot nuk do të kishim fare shtet.”
Për çështjen e kufijve, ai solli shembuj të vendeve si Hungaria dhe Izraeli, për të treguar se edhe kombet e fuqishme nuk i përcaktojnë vetë kufijtë.

“Janë teori dashakeqe dhe përçarëse. Ne duhet të gjykojmë me mendje të kthjellët dhe kontekst historik, jo me ‘sikur’ e ‘po të kishte’.”, thotë studiuesi./K.C/dritare.net