Na ndiqni edhe në

Editorial

Rudina Xhunga: Mbro veten dhe mos u bëj mish për top i politikës së kovidit!

Rudina Xhunga: Mbro veten dhe mos u bëj mish për top i politikës

Gazetarja Rudina Xhunga ishte sot e ftuar në rubrikën Opinion në News24. Duke iu referuar lajmit të fundit, ku një tjetër person i infektuar me kovid, tentoi t'i jepte fund jetës duke u hedhur nga kati i dytë i Infektivit, gazetarja Xhunga tha se këto raste po shkaktojnë mjaft ankth. Muajt e ardhshëm në vend nuk do të jenë aspak të lehtë, u shpreh gazetarja Xhunga, nëse vijojmë me këtë sjellje.

Ola Bruko: Rudina përshëndetje, mirëserdhe në studio. Një tjetër person tentoi sot të hidhej nga Infektivi. Për fat të mirë shpëtoi, por ka marrë dëmtime serioze. Kjo është hera e katërt e një ngjarjeje të tillë. Besoj e tronditur?

Rudina Xhunga: Në ankth, më shumë se e tronditur. Në ankth për periudhën vjeshtë-dimër, që ministrja Manastirliu e quan sfiduese. Nuk do jetë vetëm sfiduese. Është periudhë që do na vërë në provë. Është një periudhë, në fund të cilës, jo të gjithë do të jemi me shëndet dhe në jetë. Dhe është mirë që këtë ta themi. T'ia themi njëri-tjetrit, dhe mjaft bëmë sikur nuk kuptojmë. Mjaft bëmë sikur është një grip i zakonshëm. Jo është një virus i pazakonshëm . Dhe nuk kemi shumë mundësi të mësojmë nga historia, se historia tregon që gripi spanjoll vrau milionë, ne valën e dytë. Është shumë herë më e vështirë, sepse vijmë nga një fazë e parë e menaxhuar mire për të ruajtur jetët njerëzore, por shkatërrues për shëndetin mendor dhe ekonominë. Për këtë shkak nuk do të kemi karantinë të plotë të dytë. Do ta mbrojmë ekonominë, por për jetët e njerëzve mesa duket do të jetë e vështirë t'i mbrojmë.

Ndaj kjo fazë ka për të qenë shumë e vështirë. Nuk ka për të qenë vetëm sfiduese, siç zgjodhi ta thotë në mënyrë të kujdesshme Ministrja e Shëndetësisë, e cila duke e parë tani, po mendoja kush e di si ndihet ajo zonjë. Sapo ka humbur babain, është në krye të një operacioni nga më të vështirët që mund t'i ketë rënë në kokë një njeriu ta drejtojë. Unë nuk e di se si ajo nuk heq maskën, vë duart mbi tavolinë dhe thotë: nuk mundem më. Dhe faleminderit që nuk e bën. Dhe është një moment që duhet t'i themi faleminderit të gjithë atyre që nuk po dorëzohen, por po vazhdojnë. Çdo infermieri, mjeku, shoferi ambulance, polici, farmacisti, çdo njeriu në krye të detyrës. Që vazhdon të shkojë në punë, e ka kaluar kovidin dhe me shpresën që nuk e kalon më, po përballet, edhe pse nuk e dimë nëse e kalon apo jo për herë të dytë. Askush nuk e di.

Ola Bruko: Dhe ka raste që janë infektuar për herë të dytë. Dhe kjo është e konfirmuar, nga zv/ministrja Mira Rakacolli, që ka raste në Shqipëri, që janë prekur për herë të dytë.

Rudina Xhunga: Dhe janë shumë rëndë. Kjo është më e tmerrshme. Unë nuk dua të flas për atë që është duke më parë, ai e di vetë, secili e di vetë. Do të jetojë dhe si do të jetojë, e zgjedh vetë çdokush. Do të jetosh, zgjidh karantinën tënde. E ke në dorë ti, mos prit më nga Edi Rama, mos prit më nga Ogerta Manastirliu, nga Lulzim Basha. Mos gënje, nëse e ke kaluar kovidin, nëse të ka vdekur një i afërm, nëse ke pasur probleme, mos gënje, thuaj të vërtetën. Nëse ke qenë aty ku një njeri ka vrarë veten dhe je njeri i medias, kujdes se si e tregon. Do nxisim vetëvrasjen, do nxisim vrasje dhe vdekje të pafajshme. Njerëzit që nuk e përballojnë dot. Nëse vazhdojmë dhe sillemi me këtë mënyrë të papërgjegjshme siç po sillemi. Kjo është një hata e madhe, që na ka rënë në kokë të gjithëve. Mund ta zgjidhim dhe mund t'ia dalim vetëm bashkë.

Mjerë ata njerëz që në këtë moment po ngrohin duart në zjarr dhe kërkojnë në mënyrë të turpshme dhe kriminale, detaje nga vetëvrasjet. Ai njeri që vrau veten sot, është një fatkeq. Të tjerë fatkeqë mund ta pasojnë, duke lexuar lajmet tona, sepse kujtojnë se po të vrasësh veten shpëton. Nuk shpëton, nuk është ai shpëtimi. Shpëtimi është vetëm mundësia për t'i dhënë mjekëve kohë.

Ola Bruko: Çfarë duhet bërë sepse psikika e njeriut është e rënduar dhe këtë duhet ta pranojmë!

Rudina Xhunga: Nëse i është rënduar psikika njerëzve, mendoni për ata që po vdesin sepse i është rënduar ajri në mushkëri. I është rënduar psikika njerëzve, që flasin në facebook, në mënyrën më të ndyrë të mundshme. Se e papërgjegjshme është pak. Po marrim në qafë njerëz. Ka plasur sherri, ka apo nuk ka vende në spital. Po dhe nëse ka akoma, shpejt nuk do të ketë. Si do të ketë vende kur po shkojnë të gjithë, njëkohësisht, atje. Dhe pastaj thonë po marrin shërbim në ambulancë. Po vazhdoi me këto ritme, më pas do ta marrin në lulishten e QSUT dhe më vonë nuk do ta marrin fare. Sepse po ngarkohen spitalet. Ne po shkojmë me këmbët tona drejt kolapsit.

E vetmja mënyrë që t'ia dalim është ta pranojmë. Që është shumë e vështirë. Që jo të gjithë do të dalim gjallë pas 4 muajsh, edhe nëse do të dalë vaksina. S'do t'ia dalim dot të gjithë. Unë nuk e di në ç'mënyrë mund të thuhet kjo, që ta kuptojmë të gjithë: Ne nuk do t'ia dalim të gjithë.

Ola Bruko: Masat mos duhet të ishin më të shtrënguara? E gjitha duhet të vijë nga ndërgjegjja personale, por duket se kjo po mungon!

Rudina Xhunga: Ministrja njofton që do të mbyllet në orën 22:00, dhe njerëzit tallen. Ata mund të mos e mbyllin fare, lëre hapur dhe shko vdis. Se kështu ka vajtur kjo punë. Po nuk more përgjegjësi për veten, nga kush pret të të ndihmojë ty?

Unë isha duke xhiruar një emision dhe pashë që njerëzit aty bënin festa. Dhe të nesërmen ishin të gjithë të sëmurë me kovid. Nuk e di çfarë mendojnë këta njerëz. Kush do t'i ndihmojë këta njerëz, kush? Lëre pastaj ata që thonë, nuk është gjë kovidi? E dini ku kurohen ata? Ata kurohen jashtë. Po qe se nuk keni lekë për t'i harxhuar në chartera që të çojnë në Turqi apo Itali, dhe po qe se nuk e keni mbyllur me veten tuaj që nuk doni të ikni nga kjo jetë, mblidheni mendjen; unë nuk di t'u them asgjë më tepër njerëzve që janë në pritje që të mbarojë dhe të dali vaksina. Që në fakt të gjithë po e thonë, që vaksina nuk do të dalë tani. Por edhe kur të dalë, nuk do të vijë në fillim këtu. Ndërkohë do të ketë mbaruar punë me shumë prej nesh. E vetmja mundësi është të ruhemi, edhe pse tani duket e pamundur. Tashmë duket se këtu po kthehet në një transmetim komunitar dhe po bëhet e pamundur të ruhesh përveçse duke kthyer punën online, duke mos frekuentuar bare, restorante, duke kuptuar që duhet të mbrosh veten dhe të mos lejosh as injorancën as politiken të të bëjë mish për top./dritare.net