
Gjatë ditëve të fundit me temperatura përvëluese, shumë persona raportojnë lodhje të pazakontë, shqetësim të zemrës dhe vështirësi për të fjetur. A janë vetëm efekte kalimtare të vapës, apo shenja që nuk duhen neglizhuar?
Sipas mjekes kardiologe Dr. Ëngjëllushe Hasani, kombinimi i temperaturave ekstreme, mungesës së gjumit dhe stresit psikologjik përbën një kërcënim të heshtur por të vazhdueshëm për zemrën dhe sistemin nervor.
“Rritja e rasteve me ankth, pagjumësi dhe stres këtë verë ka ndikuar ndjeshëm edhe në shëndetin e zemrës,” – paralajmëron Dr. Hasani.
Kur trupi nuk çlodhet, zemra punon në alarm
Temperaturat e larta ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e gjumit. Netët e nxehta, kur trupi djersit pa pushim dhe ambienti është i ngrohtë, e bëjnë shumë të vështirë gjumin e thellë. Në të njëjtën kohë, mungesa e gjumit e dobëson sistemin nervor autonom, i cili rregullon ritmin e zemrës dhe tensionin e gjakut.
Në mungesë të pushimit adekuat, zemra është e detyruar të funksionojë në kushte stresi, gjë që rrit rrezikun për takikardi, aritmi, madje edhe infarkt.
Stresi: armiku i padukshëm i verës
Përveç vapës, vera e nxehtë shoqërohet shpesh me lodhje mendore, irritim dhe ankth latent, sidomos në qytetet ku zhurma, ndotja dhe mungesa e ajrit të freskët e përkeqësojnë ndjeshëm situatën.
“Stresi është një faktor i njohur që rrit rrezikun për infarkt dhe çrregullime të zemrës,” – thekson Dr. Hasani.
Kur stresi kronik kombinohet me pagjumësinë dhe dehidratimin, ndikimi në sistemin kardiovaskular është i shumëfishtë dhe i rrezikshëm.
Tri sjellje që duhen shmangur me çdo kusht në vapë:
Hyrja menjëherë në det pas ekspozimit në diell, ndryshimi i papritur i temperaturës krijon stres të menjëhershëm për zemrën dhe mund të shkaktojë ngërç ose kolaps.
Lëvizjet nga ambientet shumë të nxehta në ambiente të ftohta pa aklimatizim, kjo ndikon në enët e gjakut dhe tensionin.
Qëndrimi i gjatë në ambiente të mbyllura dhe pa ajrim, sidomos pa lagështirë apo qarkullim ajri ndikon në nivelin e oksigjenit dhe rrit stresin oksidativ në trup.
Si të mbrohemi? Këshillat e Dr. Hasanit për zemrën gjatë vapës
Fli herët dhe në ambiente të freskëta. Përdor ventilatorë ose kondicionerë me kujdes.
Përdor veshje të lehta, pambuku, dhe shmang qëndrimin në diell në orët e pikut (11:00 – 17:00).
Bëj pauza gjatë ditës, pi ujë në mënyrë të rregullt dhe mos abuzo me kafe apo pije energjike.
Shmang diskutimet e forta, ngarkesat psikologjike dhe qëndrimin për orë të gjata në trafikun urban.
Lëvdo detin, por futu me kujdes dhe gradualisht, vetëm pasi trupi të jetë përshtatur me temperaturën e ujit.
Në fund, mjekja nënvizon se trupi i njeriut ka nevojë për balancë dhe në kushte ekstreme siç është vala e të nxehtit, çdo faktor që e shton stresin ndaj organizmit, duhet menaxhuar me maturi./K.C/dritare.net

















