Na ndiqni edhe në

Editorial

Pse nuk i fikim dot zjarret e verës në Vlorë!

Pse nuk i fikim dot zjarret e verës në Vlorë!
Foto e realizuar me AI

Editorial Dritare Tv

Çdo verë, si me orar të përvitshëm, në Vlorë digjen plehrat. Ngrihet tymi, alarmohen qytetarët, largohet era e detit dhe vjen era e turpit. Të njëjtët pamje, të njëjtat fjalë: “Ka rënë zjarr”, “thuhet që është qëllimisht”, “janë dërguar zjarrfikëset”. Dhe pastaj, heshtje. Deri verën tjetër.

Por le të bëjmë një udhëtim të shkurtër në kohë, në një supozim absurd, por ndoshta ndriçues:

Po sikur të binte zjarr në Vlorë në kohën e Enver Hoxhës, siç ndodh sot çdo verë me plehrat?

Nuk do të kishte as zjarre, as plehra të pambledhura, dhe sigurisht as celularë për të filmuar zjarrin, por do të kishte një tjetër gjë: ndarje faji dhe burgime.
Zjarri nuk do të quhej “aksident” apo “i papërfillshëm”. Do të quhej “diversion”. Do të akuzohej dikush për sabotim. Do të mbahej mbledhje e menjëhershme e Komitetit të Partisë. Dhe në vend që të pyesnim “A ka ardhur zjarrfikësja?”, do të pyesnim “Kush e dogji? Kush është armiku i klasës?”
Plehrat? Nuk do të ishin në rrugë. Jo sepse ishim më të pastër, por sepse çdo njeri kishte normë pune. Plehrat përdoreshin për kompost. Ata që nuk i pastronin, dënoheshin për mungesë ndërgjegjeje komuniste.

Dhe më e rëndësishmja: askush nuk do guxonte të vinte zjarr “qëllimisht” – sepse në atë kohë nuk kishte “aludime”, kishte ndeshkime.

Sot nuk jemi më në atë kohë. Dhe kjo është një fitore. Por nuk jemi as aty ku duhet të jemi. Nuk mjafton të jetojmë në një shoqëri demokratike nëse funksionet bazë të shtetit dhe qytetarisë nuk funksionojnë. Vlora është qytet turistik. Është krenari kombëtare. Është dritare e jugut shqiptar. Nuk mund të digjet çdo verë.

Pse nuk i fikim dot zjarret e verës në Vlorë!
Çfarë mund dhe duhet të bëjmë tani, pa kërkuar fajtorë nga e kaluara, por zgjidhje për të ardhmen?

1. Ndërprerja e menjëhershme e djegies së mbetjeve
• Vendosje e kamerave në zonat e rrezikut të lartë.
• Patrullim sezonal i përforcuar, në bashkëpunim me komunitetin.
• Një numër emergjence lokal, ku qytetarët të raportojnë zjarrvënësit – edhe në mënyrë anonime.

Pse nuk i fikim dot zjarret e verës në Vlorë!

2. Menaxhim i posaçëm për fushën e vjetër të mbetjeve
• Mbyllje përfundimtare dhe rehabilitim i fushës së vjetër – me shtresim dhe izolim të plehrave ekzistuese, siç bëhet në vendet europiane.
• Vendosje e sinjalistikës ndaluese dhe barrierave fizike, për të mos lejuar më depozitimin informal të mbetjeve.
• Pastrim sistematik i mbetjeve të shpërndara dhe zhvendosja e tyre drejt landfillit zyrtar, me proces të mbikëqyrur.

Pse nuk i fikim dot zjarret e verës në Vlorë!

3. Afatgjatë: Një plan i ri për pastrimin dhe turizmin në Vlorë
• Hartimi i një plani sezonal, me datë nisjeje, përgjegjësi të përcaktuara dhe transparencë publike.
• Aktivizimi i të rinjve dhe shoqatave vullnetare për fushata pastrimi.
• Ndërgjegjësim nëpër shkolla, përmes mediave dhe rrjeteve sociale.

Nuk mjafton të pyesim “kush i vuri zjarrin”. Duhet të pyesim pse s’po e fikim dot si shoqëri.
Vlora është shtëpia jonë. Dhe nuk ka shtëpi që digjet çdo verë, pa u ngritur dikush ta shpëtojë./ dritare.net