Na ndiqni edhe në

Bota

SHBA godet Iranin me një valë të re sulmesh, përshkallëzohen tensionet në Lindjen e Mesme

Ushtria amerikane ka përfunduar një valë të gjerë sulmesh ndaj objektivave në Iran, në përgjigje të sulmeve me raketa balistike të kryera nga Irani ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se janë goditur dhjetëra objektiva të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), përfshirë qendra komandimi ushtarak, objekte raketore dhe dronësh, si dhe sisteme të mbikëqyrjes dhe mbrojtjes bregdetare.

Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet amerikane kanë prekur disa zona në jug dhe perëndim të Iranit. Në ishullin Qeshm, autoritetet iraniane raportuan për tre viktima, mes tyre edhe një fëmijë dyvjeçar.

Përshkallëzimi i fundit vjen pas një sulmi iranian ndaj një baze amerikane në Jordani. Presidenti Donald Trump kishte paralajmëruar më herët se SHBA-ja do të përgjigjej me forcë ndaj sulmeve kundër trupave amerikane.

Ndërkohë, Jordania njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar pesë raketa iraniane që synonin territorin e vendit.

Konflikti mes SHBA-së dhe Iranit ka hyrë në një fazë të re tensioni, pavarësisht përpjekjeve të raportuara për rifillimin e bisedimeve diplomatike. Situata mbetet e paqartë, ndërsa frika për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme vazhdon të rritet.

Në të njëjtën kohë, sulmet e përbashkëta SHBA-Saudite ndaj grupeve të lidhura me Iranin në Irak kanë shtuar tensionet rajonale. Autoritetet irakiane i kanë dënuar sulmet, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit të vendit./L.F-dritare.net