Nga Dritan Hila
30 vite pas përfundimit të luftërave në ish Jugosllavi, gabimi i orientimi të navigatorit që duhet të më çonte në Vjenë, mu bëri të kaloja në Republika Srpska. Pa cituar disa pika kontrolli që më duhej të më lejonin kalimin, udhëtimi ishte një ankth. Ora kishte mbetur në vend: Male të thepisura ku bjeshkët shqiptare krahasuar me to duken si kodrat e Toskanës, policë që shikonin me dyshim targat shqiptare dhe qytete dhe fshatra të spërkatura mes humbëtirave ku ende dyqanet ishin me dizajnin dhe fasadat e Titos dhe banorët bënin xhiro në trotuare duke shtyrë karrocat. Pastaj në doganën e Dubrovnikut kuptoje që asgjë nuk ishte harruar. Policët kroatë ishin të sjellshëm me të gjithë përveç makinave serbe që i linin të piqeshin nën diellin përvëlues të korrikut dhe që kur i kontrollonin i bënin fije-fije. Disa vila të bëra ngjitur me gardhin e kufirit, me siguri të parisë serbe, tregonin epshin e serbo-boshnjakëve për të dalë në det dhe vendosmërinë e kroatëve për mos t’i lënë. Qyteti i cili u bombardua rëndshëm edhe nga deti prej armatës ende jugosllave të kohës, është simbol i një kulture me rrënjë iliro-romake por edhe armiqësisë së re serbo-kroate.
30 vite pas përfundimit të një lufte të përgjakshme asgjë nuk ishte harruar. 31 vite më vonë, serbët presin me nderime kufomën e Ratko Mlladiç, gjeneralit të ushtrisë serbo boshnjake, i cili u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës dhe vdiq aty.
Për serbët Mlladiç është heroi i tyre, gjenerali të cilit i dedikojnë Republikën Srpska, megjithëse asgjë të vërtetë nuk ka në mitin e tij. Mlladiç ishte një oficer mediokër i ish Armatës Jugosllave. Sukseset e para të tij, më shumë sesa talentit ushtarak i dedikohen bllokadës që komuniteti ndërkombëtar kishte vënë për armët ndaj ish Jugosllavisë, por që në realitet penalizonte boshnjakët, pasi serbët kishin depot pafund të JNA-së. Sherret mes myslimanëve dhe kroatëve ishin një faktor tjetër që ndihmoi në sukseset fillestare të Mlladiç. Sesa te zot ishin serboboshnjakët e tregoi viti i fundit kur koalicioni kroato-boshnjak po i pushtonte me efekt domino territoret që deri atëherë mbaheshin nga ushtarët e Mlladiç, dhe falë konferencës së Dejtonit Republika Srpska i shpëtoi zhdukjes. Ndaj do ishte më mirë që serbët e Bosnjës t’i këndojnë himne politikës evropiane që asnjëherë nuk e fshehu simpatinë shekullore për serbët sesa një ish oficeri banal të JNA.
Nëse Mlladiç kishte një talent, ishte ai i kasapit. Srebenica ishte qershia mbi tortë e masakrave të mëparshme. Forca e Višegrad (ku ishin edhe kampet ku përdhunonin gratë myslimane e kroate ushtarët e Mlladiç) Rogatica, Vlasenica e Sokolac; Bjeljina e Brcko, Kozarac, Sanski Most, Kljuç e të tjera të cilat shkaktuan 55 mijë myslimanë dhe 7 mijë kroatë të vratë dhe mbi 2 milion të zhvendosur, është bilanci i kësaj monstre, ku bashkë me Milosheviç dhe Karaxhiç është i treti në trinitinë e shenjtëve të nacionalistë serbë.
Ndoshta shifrat duken të vogla krahasuar me ato të nazistëve, por në raport me numrin e popullsisë janë shumë të mëdha, aq sa Hitleri do të dukej si nxënës shkolle para kësaj tresheje.
31 vite më pas duket sikur Evropa e ka harruar Bosnjën dhe kasapët e saj. Është e vërtetë që korrupsioni, feudalizmi, nepotizmi boshnjak kanë fajin e tyre, por jo aq sa në krahasim me ta, Serbia është më i avantazhuar në anëtarësimin në BE. Dashnores se Rusisë, ngjan se i janë harruar mëkatet dhe dashuria e fshehur e disa prej vendeve të BE ndaj kësaj gjasme “bastion kristianizmi”, po nxjerr kokë dhe harron se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për një katër vjeçar gjaku, dhune, genoncidi. Ende sot myslimanët nuk shkojnë të lirë në shtëpitë e tyre, madje edhe për të qarë në varret e Srebenicës të cilat ndodhen në territoret e Republikës Srpska, duhet të kalojnë përmes kërcënimeve dhe armiqësisë së policisë dhe popullsisë së republikës së Dodikut.
Varrosja me ceremoni shtetërore e një kasapi është e ngjashme sikur Gjermania të shfaqë të njëjtën respekt ndaj Hitlerit. 31 vite treguan se Serbia nuk është në gjendje të çlirohet nga demonët e saj dhe mezi pret rastin që të përfundojë një punë që e nisi dhe mendon se për disa rrethana që ishin kundër saj nuk e përfundoi, me shpresë se këtë radhë që vjen do ketë më shumë fat. Dhe e gjitha kjo është një shtrat ku Mlladiçë të tjerë janë në pritje për të lindur e mbase tejkaluar heroin e tyre./dritare.net