Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

RTSH: Jo kasetave të partive, në lajme!

RTSH: Jo kasetave të partive, në lajme!
Pas marrëveshjes për t’i dhënë fund krizës politike Rama-Basha, liderët e dy partive kryesore arritën edhe një marrëveshje tjetër, atë të reklamimit të fushatave të tyre zgjedhore në televizionet private falas.

Për kësaj, Radio Televizioni Shqiptar, informon dritare.net, ka deklaruar se nuk do të pranojë që në edicionet e veta të lajmeve, të transmetojë materiale të gatshme të partive politike, dhe se do të bëjë mbulim të fushatës zgjedhore me gazetarët e vet:

“Radio Televizioni Shqiptar nuk do të pranojë, për edicionet e veta të lajmeve, materiale të gatshme të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e afërme elektorale, por do ta mbulojë fushatën zgjedhore vetëm me gazetarët e vet.

RTSH përmes një shkrese të firmosur nga drejtori i Përgjithshëm Thoma Gëllçi, njofton kryetarët e partive pjesëmarrëse në zgjedhje se pasqyrimi I aktiviteteve të partive politike do të bëhet në mënyrë të pavarur dhe profesionale nga vetë gazetarët dhe operatorët e saj. Kjo, sipas RTSH, do t’i shërbejë ruajtjes së profesionalizmit dhe informimit të paanshëm të publikut.

Dihet se partitë politike shqiptare dhe sidomos partitë e mëdha kanë ngritur zyra të fuqishme të shtypit dhe propagandës të cilat të mirëpajisura dhe të mirëpaguara, përgatisin materiale propagandistike të gatshme të cilat shpërndahen  nëpër televizionet e vendit. Transmetime të tilla nëpër edicionet e lajmeve bëhet duke shkelur rëndë pavarësinë e tyre, por edhe ligjin, i cili e përcakton qartë se duhet bërë një ndarje e qartë e reklamës  me informacionin dhe se ndalohet reklama e fshehtë.

Ky vendim nuk përfshin kohën e përcaktuar me ligj që jepet falas për propagandën e partive politike,nga televizioni publik dhe tani, me ndryshimet e fundit ligjore, edhe nga televizionet private, por kjo do të jetë e treguar qartë dhe e ndarë nga edicionet informative, apo nga emisionet e tjera radiotelevizive.

Kohët e fundit Këshilli Drejtues I Radiotelevizionit Shqiptar miratoi propozimin e drejtorisë së Përgjithshme të RTSH për hartimin e parimeve editoriale. Në dokumentin e quajtur Parimet Editoriale të RTSH janë përcaktuar në mënyrë konkrete se si duhet të sillet gazetari i RTSH gjatë fushatave elektorale. Sipas Parimeve Edioriale, gjatë fushatës zgjedhore, përfaqësuesve të partive politike ose kandidatëve që garojnë nuk u lejohet të paraqiten në emisione të tjera të RTSH-së, me përjashtim të rasteve te përcaktuara në Kodin Zgjedhor për kohën falas të propagandës së Partive Politike. Kur pasqyrohen aktivitetet e përfaqësuesve të partive politike dhe kandidatëve që mbajnë poste qeveritare apo publike, RTSH duhet të bëjë dallimin e qartë midis funksioneve të tyre zyrtare dhe veprimtarisë zgjedhore.

Deri më tani RTSH ka bërë disa trajnime të gazetarëve të saj për pasqyrimin e fushatës zgjedhore.

Ditët e fundit në RTSH janë zhvilluar disa seanca trajnimi nga pedagogu i Akademisë së Eurovizionit dhe ish gazetari i BBC Jonathan Stoneman pikërisht për fushatën zgjedhore që jemi në prag.

Duhet thënë se vendimi i RTSH për të mos pranuar materialet e gatshme të partive politike, por ta ndjekë këtë me gazetarët e vet, është një hap i duhur që duhet të ndiqet edhe nga televizionet dhe radiot e tjera private të cilat shpesh herë kthehen në zëdhënëse të zyrave të shtypit të partive të ndryshme.” përfundon deklarata e RTSH./dritare.net