Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rebelë me kauzë/ Këta të rinj janë frymëzimi i kohëve tona

Rebelë me kauzë/ Këta të rinj janë frymëzimi i
Deputetja demokrate 29-vjeçare, që sfidon Trumpin me “Green New Deal”

Alexandria Ocasio-Cortez: 29 vjeç, gruaja më e re në moshë e zgjedhur në Kongresin amerikan

E nisi fushatën e saj me një video virale: “Andej nga vij unë, kodi postar të përcakton fatin. Gra si unë nuk është e parashikuar që të garojnë për në Kongres”. Por në fakt, sot Alexandria Ocasio-Cortez, 29 vjeç, është deputetja më e re që është zgjedhur ndonjëherë në Kongres, një millenial që ka “zhdoganuar” fjalën socialiste duke u imponuar si simbol i ndryshimit.

E lindur në Bronx por me origjinë nga Puerto Rico, ka studiuar për ekonomi ndërkohë që studimet i ka përballuar duke punuar si banakiere. Një përdoruese eksperte e rrjeteve sociale, i ruan marrëdhëniet me bazën e saj duke folur për politikë përmes Twitterit dhe Instagramit. Ka qenë lançuesja e “Green New Deal”, një projekt ambicioz për të bërë që Amerika të braktisë lëndët djegëse tradicionale aq të dashura për Trumpin, dhe për të adoptuar vetëm energji të rinovueshme brenda 10 vitesh. Mbështetet nga 15 prej kandidatëve në garën për nominimin brenda Partisë Demokratike.

Cikloni që shkundi miliona të rinj

Greta Thunberg: 16 vjeç, në luftë kundër ndryshimeve klimatike

Nëse ka një vajzë të re, që mund të quhet simbol i rebelimit kundër establishmentit, ajo është Greta Thunberg. 16 vjeç, suedeze, bijë e një këngëtareje dhe një aktori, e prekur prej sindromës Asperger, ajo ka nisur betejën e saj kundër ngrohjes globale duke mos iu bindur një prej këshillave më klasike të të rriturve: shko në shkollë.

Ajo jo. Çdo të premte ka braktisur shkollën për të “bërë rojë” para Parlamentit suedez, me tabelën “protestë shkollore për klimën”. Dukej një marrëzi, u shndërrua në një ciklon i cili ka shkundur miliona të rinj. Duke mos kursyer institucionet. Që fillimisht e kanë parë me shpërfillje dhe më pas janë përpjekur të shpërndajnë mesazhin.

Greta ka vazhduar: “Më jepni të drejtë, por nuk bëni asgjë”. Suedezja që thirri “mbreti është lakuriq” nuk është normalizuar ende. Por e vetme nuk mund të bëjë shumë.

 Ylli i NBA, që zgjedh të shpëtojë imigrantët

Marc Gasol: 34 vjeç, kampion basketbolli në Shtetet e Bashkuara

Marc Gasol është një kampion bote. Me Toronto Raptors, më pak se një muaj më parë, ka fituar titullin e basketbollit të NBA, që është liga profesioniste amerikane. 216 centimetra i gjatë, i bëshëm, pamja e tij voluminoze e theksoi edhe më shumë habinë dhe mrekullinë që shkaktoi kur u pa, verën e kaluar, në bordin e Open Arms, anija e OJF-së Proactiva që shpëtonte imigrantët.

Sergio Scarolo, tekniku italian që e stërvit e rrëfen duke e normalizuar, ashtu si natyrisht do i pëlqente edhe atij vetë. “Marc është një djalë me ndjenja të thella, reflektues, që pëlqen shumë të ndihmojë të tjerët”.

Që i vogël hiqte para mënjanë për njerëzit me më pak fat.

Në korrik 2018 shpëtoi një grua, e vetmja e mbijetuar e tre personave që libianët braktisën në një trap në mes të detit. “Zhgënjim, pafuqi, zemërim. Ja, këtë ndjej. Dhe admirim për ata që këtë herë, i quaj shokë të skuadrës sime”.

Nobeli për Paqen, që lindi nga një blog kundër talebanëve

Malala Yousafzai, 21 vjeç: Ka fituar Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2014

Udhëheqësit botërorë futen në garë mes tyre për t’u fotografuar në krah të saj: i fundit, pak ditë më parë, ishte Presidenti Emmanuel Macron. Sepse Malala Yousafzai, në pak vite u shndërrua në një prej simboleve botërore të të mirës absolute, që përpara se Çmimi Nobel për Paqen në vitin 2014, ta bënte zyrtar rolin e saj.

Ishte vetëm 12 vjeçe kur, në vitin 2009, ajo nisi një blog për të rrëfyer në faqen e internetit të BBC, se si jetohej nën talebanët, të cilët kontrollonin zonën e Pakistanit ku ajo jetonte.

Ishte vetëm 15 vjeç kur një vrasës i dërguar me porosi për ta eleminuar e qëlloi në kokë, ndërkohë që ajo kthehej nga shkolla me autobus: shpëtoi për një fije, falë urës ajrore që e solli në Britaninë e Madhe, si dhe përpjekjeve të mëdha të mjekëve anglezë.

Sot punon për të garantuar të drejtën e arsimit, për mijëra vajza dhe gra nëpër botë.

JOSHUA WONG: Një çadër si simbol i demokracisë

22 vjeç. Njeriu që ndezi protestën e Hong Kongut

Pak orë pasi doli nga burgu, Joshua Uong ishte rikthyer në vijën e parë. Nuk njeh vend tjetër ky djalosh 22 vjeçar, simbol i Hong Kongut që zbret në rrugë për të mbrojtur autonominë e vet nga Kina komuniste.

Pesë vjet më parë u bë model i Lëvizjes pro demokraci të çadrave, duke shastisur botën me vendosmërinë e egër në fytyrën e tij prej adoleshenti, duke paguar me dënime të llojeve të ndryshme për aktivizmin e tij.

Tani protesta e ish kolonisë britanika ka të tjerë krerë, të rinj të maskuar, por ka të njëjtin objektiv: të mbrojë identitetin dhe liritë e një qyteti, që duket i destinuar të asimilohet prej Pekinit.

Për këtë arsye Joshua është ende aty, tashmë në rolin e politikanit, numrmi një i Partisë Demosisto. Dhe premton: “Hong Kongu nuk do të jetë kurrë një tjetër qytet kinez”./I.M-Bota.al