Rama për rezultatet e PISA 2025: Shqipëria ka marrë një dëftesë të jashtëzakonshme
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA 2025, duke e cilësuar performancën e Shqipërisë si një rezultat të jashtëzakonshëm.
Në një video live në Facebook, kreu i qeverisë u shpreh se rezultatet e publikuara përfaqësojnë një arritje të rëndësishme për sistemin arsimor shqiptar, ndërsa vlerësoi punën e bërë nga shkollat, mësuesit dhe prindërit.
“Ka ditë që shkohet në punë me ndjesinë që kjo është detyra dhe ka ditë që shkohet në punë me kënaqësi të madhe. Dje kemi marrë një dëftesë, një rezultat shumë të mirë. Shqipëria ka marrë një dëftesë të jashtëzakonshme”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, Shqipëria ka shënuar rezultatin më të mirë të saj në historinë e pjesëmarrjes në testin PISA, i cili mat nivelin e njohurive dhe aftësive të nxënësve në fusha të ndryshme.
“Jemi të parët në rajon që kemi ambicie që të zëmë vendin e parë në çdo gjë. Kemi bërë një punë kolosale”, deklaroi Rama.
Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria, sipas tij, ka lënë pas në renditje edhe disa vende anëtare të Bashkimit Evropian.
“Kemi lënë pas edhe disa vende që janë pjesë e BE. Unë po them një të vërtetë që është shpallur botërisht dje”, u shpreh kryeministri.
Në fund të reagimit të tij, Rama vlerësoi veçanërisht kontributin e mësuesve, shkollave dhe prindërve, duke e lidhur rezultatin me përparimin që, sipas tij, ka bërë vendi në fushën e arsimit.
“Më vjen mirë për shkollat, për mësuesit dhe prindërit. Ky është një vend që përparon çdo ditë, duan apo s’duan”, përfundoi Rama./L.F-dritare.net