Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: 3 plagët që rëndojnë shtetin. Në krye administrata

Kryeministri Edi Rama ka renditur tre problematika që, sipas tij, vijojnë të ndikojnë në marrëdhënien mes qytetarëve dhe institucioneve shtetërore.

Duke folur përpara grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u ndal te ajo që e cilësoi si “shteti labirint”, ku qytetarët shpesh nuk kanë të qartë se cili institucion apo zyrtar duhet t’u japë zgjidhje problemeve të tyre.

Sipas kryeministrit, një tjetër problem është mungesa e kujtesës institucionale. Rama theksoi se vendimet, premtimet dhe angazhimet nuk ndiqen gjithmonë në mënyrë sistematike, duke bërë që të mos ketë një pasqyrë të qartë të asaj që është realizuar, vonuar apo ndryshuar.

Problemi i tretë, sipas tij, lidhet me perceptimin se njohjet personale mund të vlejnë më shumë se merita dhe respektimi i ligjit. Rama tha se kjo është një ndjesi që vijon të ekzistojë te qytetarët shqiptarë, sidomos kur bëhet fjalë për marrjen e një shërbimi apo gjetjen e një vendi pune.

“Për një shërbim, për një vend pune, njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji”, deklaroi Rama.

Kryeministri i cilësoi këto tri problematika si plagë që ushqejnë njëra-tjetrën dhe tha se adresimi i tyre është pjesë e përpjekjes për një administratë më funksionale dhe më të orientuar drejt qytetarit.

Në këtë kuadër, Rama përmendi edhe disa prej nismave të qeverisë, duke i lidhur ato me synimin për të rritur përgjegjshmërinë, praninë e institucioneve në terren dhe vlerësimin e meritës.

Fjalimi i kryeministrit vjen në një moment kur Partia Socialiste po diskuton mënyrën e re të organizimit dhe funksionimit të strukturave të saj, me fokus më të madh te marrëdhënia me qytetarët dhe ndjekja e problematikave të tyre.