Rama: 10 vjet më parë, Malësia e Madhe dhe Përmeti dukeshin si vende pa shpresë
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama e nisi episodin e pestë të sezonit të shtatë të podcastit “Flasim” me një reflektim për ndryshimet që, sipas tij, kanë pësuar Malësia e Madhe dhe Përmeti gjatë dekadës së fundit. Rama tha se dikur këto zona shiheshin si vende pa perspektivë, ndërsa sot janë kthyer në destinacione që tërheqin vizitorë. Ai e lidhi këtë transformim me punën e bërë ndër vite, duke iu referuar edhe kritikave dhe protestave në bulevardin përpara Kryeministrisë.
“Duke përgatitur pak minuta më parë këtë episod që është i pesti i sezonit të shtatë të podcastit ‘Flasim’, po mendoja që njëherë e një kohë, por jo 100 vjet përpara, 10 vjet përpara, qoftë Malësia e Madhe, qoftë Përmeti ishin ndër ato pika në hartën e Shqipërisë që dukeshin shumë larg dhe nga ana tjetër, ku dukej për së largu, pa shkuar, që s’kishte asnjë arsye për të shkuar.
Kujtova po ashtu që në kohën kur unë nuk isha ende në këtë detyrë dhe për shkak të detyrës që kisha më parë, duhet të bridhja Shqipërinë. Qoftë Malësia, qoftë Përmeti ngjanin si vende pa shpresë, ky kush ishte aty ishte thjesht ende aty, por të nesërmen s’do të ishte më aty. Kush vinte, vinte ose se kishte familjen aty për t’i parë ose se në rastin më të zakonshëm një dasmë ose larg qoftë, një vaki.
Sot janë dy destinacione të Shqipërisë së re, Shqipërisë tjetër që kemi ndërtuar me shumë mund ndërkohë që nga bulevardi i Tiranës shumëçka mbulohet me retë artificiale të kanaleve sociale dhe të ekraneve”, tha Rama./K.C/dritare.net