Psikologia Anxhela Peza: Dyshoj që Gent Hoxha të jetë abuzuar, ishte shumë i ri
Dritare.net

Psikologia Anxhela Peza ka komentuar në emisionin “Dekalog” me Roland Qafokun në DritareTV çështjen e videove intime dhe akuzave që kanë qarkulluar së fundmi, duke u ndalur edhe lajmet për Gent Hoxhën.
Peza tha se nuk e beson deklaratën se marrëdhënia seksuale ka nisur kur personi ishte në moshë madhore, duke ngritur dyshime mbi moshën në të cilën mund të ketë nisur marrëdhënia.
“Unë nuk e besoj deklaratën e djalit të vogël këngëtar, i cili thotë se ka hyrë në seksualitet me zotërinë në një moshë madhore”, u shpreh psikologia.
Ajo theksoi se nuk dëshiron të bëjë akuza, por tha se nëse një marrëdhënie seksuale është kryer me një fëmijë, atëherë bëhet fjalë për një akt kriminal.
Sipas psikologes, edhe një person 18 apo 20 vjeç, nga pikëpamja psikologjike dhe emocionale, është ende shumë i ri dhe mund të mos ketë formuar plotësisht identitetin e tij seksual.
“Unë nuk jam ligji këtu, unë jam psikologu. E shikoj në një gjë më sociale, edhe 18 vjeç nuk është fëmijë, por është shumë i ri. Nuk e njeh identitetin e vet seksual, nuk e njeh veten e tij ende”, deklaroi Peza.
Gjatë bisedës, psikologia u ndal edhe te mënyra se si shoqëria shqiptare e trajton seksualitetin. Ajo e cilësoi shoqërinë shqiptare si “të shtypur seksualisht”, duke argumentuar se seksualiteti është lidhur historikisht me moralin, nderin dhe normat shoqërore.
Peza tha gjithashtu se publikimi dhe shpërndarja e videove intime ka shkaktuar frikë dhe ankth te persona të tjerë, të cilët janë shqetësuar se mund të jenë filmuar pa dijeninë e tyre dhe se videot mund të publikohen në internet.
Sipas saj, disa persona kanë kërkuar ndihmë psikologjike pas publikimit të videove, duke përjetuar ankth, pagjumësi dhe probleme në përditshmëri.
Psikologia theksoi në fund rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve nga përmbajtjet seksuale në internet, pasi, sipas saj, fëmijët nuk kanë gjithmonë kapacitetin emocional dhe mendor për të përballuar informacionin që shohin./dritare.net