PS kërkon ngritjen e Komisionit për fazën e dytë të Reformës Territoriale
Dritare.net
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Komisioni i propozuar do të ketë 16 anëtarë dhe një mandat nëntëmujor, me mundësi zgjatjeje. Në fokus do të jenë rishikimi i kompetencave të bashkive, përmirësimi i shërbimeve publike, financat vendore dhe zhvillimi rajonal.
Faza e dytë e reformës synon forcimin e autonomisë së pushtetit vendor, rishikimin e kuadrit ligjor për vetëqeverisjen vendore dhe hartimin e një formule të re për transfertat financiare nga buxheti i shtetit drejt bashkive. Një tjetër objektiv është krijimi i një niveli rajonal funksional, në përputhje me politikat e Bashkimit Europian dhe kërkesat për përfitimin e fondeve europiane.
Sipas kërkesës së socialistëve, ndryshimet ligjore duhet të përgatiten në kohë për të mundësuar funksionimin e bashkive të reja pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Puna e komisionit do të përfshijë konsultime me bashkitë, institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e këtij komisioni, me argumentin se kërkesat e opozitës gjatë fazës së parë të reformës nuk u morën parasysh nga mazhoranca./dritare.net