Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Protesta para Kuvendit, përplasje me policinë dhe shoqërime

Qytetarë janë mbledhur sërish sot në protestë, në një kohë kur në Kuvend zhvillohet seanca e radhës plenare. Për shkak të perimetrit të gjerë të sigurisë, deputetët kanë mundur të hyjnë në godinën e Kuvendit pa u përballur me protestuesit.

Protestuesit tentuan të depërtojnë në disa pika të ndryshme të perimetrit të sigurisë, por pa sukses. Më pas, ata u zhvendosën në drejtim të “Rrugës së Elbasanit”, pranë Xhamisë së Namazgjasë.

Në këtë zonë, policia bllokoi protestuesit te ura dhe nuk lejoi marshimin e tyre drejt godinës së Kuvendit. Situata u tensionua dhe pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Sipas raportimeve, disa protestues hodhën vezë dhe domate në drejtim të efektivëve të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, disa prej tyre arritën të çanin kordonin e policisë, duke sjellë edhe shoqërime.

Mes personave të shoqëruar raportohet se është edhe një prej organizatorëve të protestës, Arben Kola.

Situata vijon të monitorohet nga forcat e rendit, ndërsa perimetri i sigurisë rreth Kuvendit mbetet i blinduar.