Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kuvendi mblidhet sot, masa të shtuara sigurie në pritje të protestës

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot, më 27 korrik 2026, në orën 10:00, në një seancë plenare ku në rendin e ditës është përfshirë edhe projektvendimi për ndryshimin e përbërjes së komisioneve të përhershme parlamentare.

Sipas njoftimit zyrtar, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 23 korrikut, ndërsa më pas do të vijojnë njoftimet dhe shqyrtimi i projektvendimit “Për një ndryshim në vendimin nr. 87/2026, ‘Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit’, i ndryshuar”.

Për sot është paralajmëruar edhe një protestë.

Në kuadër të masave të sigurisë, godina e Kuvendit është rrethuar me gardh metalik, ndërsa prani e shtuar e forcave të policisë është konstatuar në zonën përreth, nga Ministria e Brendshme deri në drejtim të Xhamisë së Namazgjasë dhe “Rrugës së Elbasanit”.

Autoritetet pritet të monitorojnë situatën gjatë zhvillimit të seancës plenare dhe protestës së paralajmëruar, ndërsa shërbimet e Kuvendit janë ngarkuar me përgatitjen e dokumentacionit dhe organizimin e punës për mbledhjen e sotme.