
Prokuroria e Prizrenit nis hetimet për vdekjen e 3-vjeçares Xheneta Gashi
Dritare.net

Pas kësaj tragjedie, shoqëria civile dhe qytetarë të shumtë, me anë të protestave, kishin kërkuar dorëheqjen e kryetarit Ramadan Muja dhe të përgjegjësve të tjerë, mirëpo, deri tash, askush nuk është dënuar dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi për humbjen e jetës së Xheneta Gashit.
Prokuroria Themelore e Prizrenit ka intervistuar gjatë ditës njërin nga tre drejtorët e Komunës së Prizrenit, ndaj të cilëve ka nisur hetimet pas tragjedisë që ndodhi në muajin qershor, ku humbi jetën Xheneta Gashi.
Drejtori i intervistuar, Bedrija Ejupagiq, ka konfirmuar lajmin, duke thënë se i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë, raporton KTV.
Edhe kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, ka konfirmuar një gjë të tillë, duke thënë se Prokuroria i ka hapur hetimet ndaj tre personave, drejtorë në Komunën e Prizrenit, për të cilët dyshohet se në kuadër të fushëveprimtarisë së tyre nuk kanë ndërmarrë masa mbrojtëse në evitimin e fatkeqësisë që ka ndodhur më datën 6 qershor 2016.
Hoxha ka shtuar se varësisht prej dëshmive dhe provave, hetimet mund të zgjerohen edhe ndaj dikujt tjetër.

















