Spiropali nga Kopenhagen: Shqipëria drejt fazës përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit në BE
Dritare.net

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilloi një vizitë zyrtare në Kopenhagë pak pas Samitit të Komunitetit Politik Europian, ku u takua me Ministren daneze të Çështjeve Europiane, Marie Bjerre, për të ndarë objektivat e përbashkëta në avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjatë takimit u vlerësua mbështetja e qëndrueshme e Danimarkës në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, veçanërisht nën Presidencën Daneze të BE-së, e cila ka qenë faktor përcaktues në progresin e deritanishëm të negociatave. Ministrja Spiropali theksoi se Shqipëria pret që brenda muajit nëntor të hapë grupkapitullin e fundit të negociatave të anëtarësimit, ndërsa brenda kësaj presidence synon të nisë mbylljen e kapitujve ku janë përmbushur kriteret, duke filluar me grupkapitullin 6 – “Marrëdhëniet me Jashtë”, si një tjetër moment vendimtar në rrugën historike drejt Europës.
"Kënaqësi të rikthehem në Kopenhagen të Danimarkës, pak pas Samitit të Komunitetit Politik Europian, për të ndarë me Ministren e Çështjeve Europiane, Marie Bjerre, objektivat për avancimin e agjendës së integrimit të Shqipërisë në EU. Nën Presidencën Daneze të BE mbështetja e së cilës ka qenë faktor përcaktues në progresin e deritanishëm, presim të çelim brenda Nëntorit grupkapitullin e fundit të negociatave të anëtarësimit.
Po brenda kësaj Presidence besojmë fuqimisht se do të nisim me mbylljen e grupkapitujve ku kemi plotësuar kriteret, duke filluar me grupkapitullin 6 – “Marrëdhëniet me Jashtë”, për të prekur një tjetër moment vendimtar në rrugëtimin tonë historik drejt Europës", shkruan Spiropali./dritare.net