Na ndiqni edhe në

Politikë

Reagimi i socialistëve për Fatos Nanon: Lamtumirë kryetar! Arkitekt i transformimit historik për të majtën shqiptare!

Reagimi i socialistëve për Fatos Nanon: Lamtumirë kryetar!

Deputetët e Partisë Socialiste kanë reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano me anë të disa postimeve në rrjetet sociale.

Taullant Balla: Sot e humbëm Kryetarin Nano. Do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka u skalit si një vijë sjelljeje e palëkundur e partisë sonë, duke e bërë unikale mes partive politike në Shqipëri. Fatos Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë. Faleminderit për mundësinë që më dhe të mësoj shumë prej teje. U prehsh në paqe shef.

Erion Braçe: Fatos Nano, njeriu që ribëri të majtën shqiptare, u shua sapo! Pusho në paqe dhe faleminderit për gjithçka!.

Damian Gjiknuri: “Me modelin e tij liberal, udhëhoqi Partinë Socialiste dhe në tërësi të majtën shqiptare, duke e kthyer në një forcë politike të shëndetshme, moderne e progresiste. Si kreu i qeverisë, Fatos Nano drejtoi vendin në momente të vështira, kur duhej ringritur shteti i gjunjëzuar në të gjitha hallkat e tij. Njeriu i betejave dhe vendimeve të forta ashtu sikurse i kompromiseve dhe marrëveshjeve si mjeti më efektiv i të bërit politikë. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe dashamirësve!”, shkruan Gjiknuri.

Ulsi Manja: Ka politikanë që përfaqësojnë kohën ku jetojnë dhe ka të tjerë që përfaqësojnë epoka. Fatos Nano ishte ndarja mes dy botëve: aty ku mbaroi frika e komunizmit dhe nisi debati për demokracinë. Lamtumirë, Kryetar!.

Evis Kushi: “Trishtim për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, themelues i së majtës moderne dhe udhëheqës vizionar përballë sfidave të mëdha në kohë të vështira. Fjalët janë pak për të përshkruar kontributin e Fatos Nanos në rindërtimin demokratik të Shqipërisë. Trashëgimia e tij do të jetojë gjatë në historinë e kombit shqiptar!”.

Albana Koçiu: “Lamtumirë kryetar”.

Niko Peleshi: “Lamtumirë, Fatos Nano! Para pak çastesh u nda nga jeta Fatos Nano, politikani që dominoi një epokë të tërë të jetës politike shqiptare, themeluesi dhe drejtuesi vizionar i Partisë Socialiste deri në vitin 2005. Për mua personalisht, Fatos Nano mbetet figura që më hapi dyert e politikës, duke më besuar përgjegjësinë e parë publike, në atë kohë një ftesë ndaj një brezi të ri për të ndërtuar së bashku Shqipërinë që ne të gjithë e ëndërronim. Ai kishte atë aftësi të rrallë për t’u dhënë hapësirë njerëzve të provonin veten në shërbim të vendit. Por figura e Fatos Nanos tejkalon çdo përvojë personale. Për politikën shqiptare, ai mbetet politikani modern që solli frymën e vërtetë europiane në mjedisin tonë publik. Ishte intelektuali që dinte të fliste gjuhën e ideve, liberali që besonte te liria individuale dhe zhvillimi ekonomik, europianisti i bindur që e shihte të ardhmen e Shqipërisë vetëm në familjen e madhe europiane. Në një kohë kur shumë ende mendonin me mendësitë e së shkuarës, ai fliste për të ardhmen.

Për të majtën shqiptare, Fatos Nano është arkitekti i transformimit historik. Ai e ngriti të majtën e re mbi themelet e shëndosha të socialdemokracisë europiane, duke bërë atë që dukej pothuajse e pamundur, ta mbante atë në këmbë në një kohë kur filli ku varej ishte jashtëzakonisht i hollë. Ai kishte guximin të thyente dogmat, vizionin për të parë përtej krizave të çastit dhe forcën për të ndërtuar një lëvizje politike që mund të qeveriste dhe të modernizonte vendin.

Historia do ta gjykojë me drejtësi kontributin e tij. Ne që patëm privilegjin ta njohim, ta dëgjojmë dhe të punojmë pranë tij, e dimë se Shqipëria humbi sot një nga figurat më të mëdha të politikës së saj postkomuniste. I paharruar, Fatos Nano!”

Pandeli Majko: “Fatos Nano ka ndruar jetë! Përpara se të ishte drejtues i Partisë Socialiste, Fatosi, ishte djali i Maries dhe i Thanasit! Ai ishte një vlla i mirë dhe prind i dhimbsur! Në politikë, Fatos Nano nuk tentoi ti shpëtonte asaj që ishte!

Si çdo njeri me pushtet, ai kërkoi nga jeta gjëra që nuk janë në “menu”! Në rrugëtimin e jetës së tij, ai i provoi të gjitha, ku burgosja si drejtues i PS në opozitë, ishte momenti më i vështirë, por edhe më i lartë i veprimtarisë së tij si politikan dhe njeri! Në politikë, pushteti është i shpërndarë mes njerzve që e meritojnë dhe njerzve që e adhurojnë! Fatosi do mbahet mend për rregullat që theu! Ai ishte produkt i kohës që jetoi! Në konkluzionin njerëzor të jetës, të gjithë dështojnë të jenë ata që duan! Ndaj çdo njeri nuk mund të gjykohet vetëm nga gabimet që ka bërë! Fatosi nuk ishte një përjashtim! Historia ka plot politikanë që do të mbahen mend nga servilët e tyre! Fatosi nuk ishte kjo kategori! Kundërshtarët e tij, mund të mbështeteshin tek ai për të vepruar me dinjitet. Pushteti, është shfaqja më e vjetër, por edhe irracionale e natyrës njerëzore. Fatosi doli prej saj me titullin “njeri”!

Djali i Maries dhe i Thanasit nuk është më! U end pak kohë, midis dy botëve, duke bërë “negociatën” e fundit! Beteja e fundit midis “kush je” me “çfarë je”! Dheu i lehtë Fatos! Qofsh i parajsës!”