Na ndiqni edhe në

Politikë

Nga Londra në Skrapar, rrëfimi i Besart Xhaferit për jetën dhe amaneti i gjyshit!

Nga Londra në Skrapar, rrëfimi i Besart Xhaferit për jetën

Diskutimi mbi moshën mesatare të lartë në grupin parlamentar të PD-së i dha mundësi Besart Xhaferit, si kryetar i Forumit Rinor, të artikulojë vizionin e tij për rigjenerimin e partisë. Ai argumentoi se problemi nuk qëndron te mosha, por te nevoja për 'rigjenerim fytyrash'.

Megjithatë, ai bëri një paralajmërim të fortë kundër promovimit të të rinjve pa përvojë. 'Për mua, për t'u bërë deputet duhet të jesh me të paktën 15 vite eksperiencë profesionale, pra të kesh diçka për të dhënë,' tha ai.

Xhaferi kritikoi trendin e deputetëve që hyjnë në politikë në moshë shumë të re, pa një karrierë të ndërtuar jashtë saj, duke shtruar pyetjen se çfarë do të bëjnë ata pas përfundimit të mandatit.

Ai theksoi se parlamenti nuk është 'aplikim për universitet', por 'tempulli më i lartë i shoqërisë' që kërkon njerëz me integritet dhe bagazh profesional. Xhaferi gjithashtu shprehu keqardhjen që Shqipëria, sipas tij, e ka humbur nocionin e republikës parlamentare, duke u shndërruar në 'republikën e kryeministrit'.

Përtej figurës politike, Besart Xhaferi ndau në emisionin 'Dekalog' detaje nga jeta e tij personale dhe rrugëtimi që e solli në parlament. I diplomuar në shkollën prestigjioze 'London School of Economics', ai mori vendimin e vështirë për t'u kthyer në Shqipëri në vitin 2013, pikërisht kur Partia Demokratike kaloi në opozitë. 'Jam shumë krenar që jam bërë anëtar i Partisë Demokratike në opozitë,' tha ai.

Arsyeja kryesore e kthimit, përveç bindjeve politike për tregun e lirë, ishte një premtim personal i lidhur me një amanet nga gjyshi i tij: 'Mund të ndahesh për së gjalli me prindërit vetëm nëse të ndjek policia, hasmi apo ushtria'. Xhaferi foli me krenari për origjinën e tij nga Skrapari, duke zbuluar një histori familjare komplekse ku gërshetohen traditat partizane me ato të Ballit Kombëtar.

Ky sfond i larmishëm, sipas tij, i ka dhënë aftësinë 'për të kuptuar të dyja palët' dhe e ka formësuar si njeri dhe si politikan./dritare.net