Kampusi i ri i Drejtësisë, Rama: Investim i jashtëzakonshëm!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e programit për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë. Kampusi i ri do të jetë një riorganizim i godinave të drejtësisë si domosdoshmëri për mbështetjen e mëtejshme të pushtetit gjyqësor.

Rama tha se ky është financimi më i madh dhe tha se ndërsa drejtësia bën punën e saj, detyra e qeverisë është që ta mbështesë sistemin.
“Është padiskutim financimi më i madh që mund të jetë bërë ndonjëherë për infrastrukturën administrative. Sot janë krijuar mundësitë dhe janë përmbushur edhe një sërë arsyesh për ta bërë këtë sepse jemi në një proces kur pas një reforme shumë rrënjësore në drejtësi, duhet të vazhdojmë të bëjmë detyrat. Ndërkohë që detyrat tuaja i dini dhe bëni ju, detyra jonë është që të vazhdojmë ta mbështesim sistemin që ai të funksionojë me kushtet dhe standardet më të larta. Këtë nuk mund ta themi sot duke marrë parasysh kushtet ku punojnë gjykatësit, prokurorët dhe sa mbrapa është sistemi në aspektin e teknologjisë”, tha Rama.
Duke u ndalur te zhvillimi i sistemit teknologjik, Rama tha se deri më tani ka ekzistuar një ngërç lidhur me të, i cili s’mund të jetë plotësisht i pavarur për shkak të ndërveprimit të nevojshëm me institucionet e tjera.
“Kemi pasur një vonesë katastrofike me menaxhimin e çështjeve gjyqësore sepse nuk merrnim dot vesh si duhet bërë qasja ndaj sistemit. Nuk mundet dot që në emër të pavarësisë së sistemit të drejtësisë, të ndërtohet një sistem i pavarur plotësisht sepse nuk flet dot me sistemet e tjera dhe të gjitha të dhënat që i duhen nuk i proceson dot. Duket qesharake, por për këtë konflikt u dogjën vite dhe fonde. Këtu një rol të rëndësishëm ka qeveria e gjyqësorit, por në ndërveprimin tërësor është yni. Kjo është shumë e rëndësishme që ky projekt që kemi të funksionojë edhe nga kjo pikëpamje. Procesi ka rreth 6 muaj që ka filluar dhe është i ndërtuar në marrjen e informacionit të drejtpërdrejtë nga përfaqësuesit e të gjithë institucioneve për të vënë para nesh të gjitha nevojat”, shpjegoi kryeministri.
Hapi pasardhës do të jetë një tur i dytë për rishikimin e planit që më pas do të kalojë në konkurs përfundimtar. Rama tha se projekti do të kërkojë shpronësim dhe gjykatësit s’duhet të tregohen shumë ‘dorëlëshuar’ me trajtimin e tyre. Në fund, kryeministri e përmbylli me një batutë pas debateve me gjyqtarët për pagat dhe njëkohësisht, mbingarkimin me të paraburgosur.
“Është një hapësirë që do të kërkojë shpronësim për interes publik. Shpresoj që gjykatësit që do të trajtojnë shpronësimet shpresoj mos t’i japin dorës se në fund të fundit janë të njëjtat para që kërkohen për të rritur pagat. Nuk janë shumë arka të shtetit, është një arkë e vetme. Sot ne kemi krijuar disa mundësi që nuk i kishim. Është bërë një investim i jashtëzakonshëm. Është shumë i madh si financim për ta bërë atë vend ku çdo prokuror e gjykatës kur të hyjë të ndihet njeriu më i nderuar i kësaj republike, qoftë edhe kur sheh muret. Për ne është një përpjekje që nuk ndalet dhe nuk kthehet mbrapa, pavarësisht surprizave që na bëni herë pas here, por janë pjesë e jetës, rritjes së një sistemi të ri që kërkon kohën e vet. Ky është rasti që ne të gjithë tani të shkojmë në paraburgim për shpërdorim detyre”, përmbylli Rama.