Na ndiqni edhe në

Ora e Gallatës

Pjesë nga ditari i sotëm i Ramës.

Pjesë nga ditari i sotëm i Ramës.
Sot ishim në Elbasan. Shkova një ditë përpara Ditës së Verës se kush i duron katundarët që mbushin rrugët nesër.

Lala m'u duk pak i zbehtë. E pyeta mos kishte frikë nga kërcënimet që kishte marrë, por më tha që kishte kaluar grip.

Pyeta ça investimesh ka pasur Elbasani dhe më thanë që ka pesë vjet që nuk ka mbaruar autostrada. Bëra sikur s’e dija dhe kërcënova Damianin që po mos ta mbaronte do ta pushoja nga puna. Gjithsesi e pickova që mos të trembej.

Pastaj folëm për investimet private. Më thanë që Gjergj Luca ka investuar në Labinot me një fabrikë peshku, por paska rikonstruktuar edhe shtëpinë e pushimit të Bahollëve ku është formuar Shtabi i Përgjithshëm. Katundarët aty ishin mërzitur dhe i kishin thënë Lalës që tani ne kemi aristokracinë tonë dhe nuk është nevoja që të promovohen elbasanllinjtë e rënë nga vakti. Kur Lala i kishte pyetur kush ishte aristokrati i ri që donte të promovonin, i kishin thënë për Çilin dhe kishin kërkuar që t'i shpallej shtëpia ku kishte lindur, muze. I thashë Lalës që do shohim e bëjmë dhe si do sillet se kishte filluar e dredh bishtin. Po fituam mandatin e tretë, e shofim.

Pastaj bëra takim me popullin. Rob të urtë elbasanllinjtë. Kishin frikë se dogëndisnin mikun me pyetje me siklet dhe pyesnin vetëm sesi e kam pas shëndetin dhe a më ka dalë sikleti nga sharjet që më kanë pas bërë. Vetëm një kuçkë gazetari më pyeti pse e kisha punësuar Fufin.

Në darkë lexova një çikë kazanin dhe pashë që Zheji po vazhdonte të tregonte sagën e dashurisë sonë. I çova mesazh dhe i thashë që botës i mjaftojnë romancat e Romeo e Xhuljeta, Tristani e Izolta, dhe nuk ka nevojë për romancën Rama e Zheji. M'u përgjigj që nuk më heq dot nga mendja. Nuk i ktheva përgjigje.

Pastaj pyeta për Lulin. Më thanë që është i trembur se mos e dënoj si agjent rus. I shkruajta që të mos trembej. Mjafton Berisha agjent i serbëve në atë parti.

Në darkë isha me dy mendje që të flija në Elbasan apo të kthehesha. U ktheva pasi Linda më tha që Zahon nuk e zinte gjumi ngaqë kishte parë Berishën në televizor. I thashë pse e le ta ndërrojë Bang Bangun, por më tha se e kisha programuar unë timerin për lajmet që të shikoja Berishën. I thashë se për gjysëm ore arrij.

Po e mbyll për sot./dritare.net