Flogert Muça nga Haga: Beogradi sot është në festë! Ballkani nuk do të jetë më i njëjtë!
Dritare.net

Vendimi i Gjykatës Speciale ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shkaktuar reagime të forta mes shqiptarëve të mbledhur në Hagë.
Gazetari Flogert Muça, në një lidhje direkte nga Haga për emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në DritareTV, e cilësoi vendimin një goditje të rëndë jo vetëm ndaj të dënuarve, por ndaj vetë historisë së luftës së UÇK-së.
Sipas Muçës, ajo që ndodhi në Hagë nuk mund të shihet vetëm si çështje e fatit personal të katër ish-drejtuesve.
“Është asgjësuar historia, nuk janë dënuar katër individë”, u shpreh ai, duke shtuar se vendimi përbën, sipas tij, një “goditje direkte për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për luftën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi”.
Në lidhjen live, Muça tregoi edhe atmosferën e rënduar mes shqiptarëve që ndodheshin pranë gjykatës. Ai tha se kishte parë ish-luftëtarë të UÇK-së të përlotur pas shpalljes së vendimit, njerëz që, siç u shpreh ai, kishin kaluar luftën dhe nuk ishin trembur nga plumbat.
Situata u tensionua edhe gjatë transmetimit. Muça ktheu kamerën drejt një zone ku, sipas tij, po kishte përplasje me policinë, ndërsa Roland Qafoku në studio konstatonte nga pamjet se në terren kishte një situatë të tensionuar.
Muça paralajmëroi gjithashtu se pasojat e vendimit mund të shkojnë përtej Hagës. Sipas tij, reagimet e shqiptarëve dhe klima e krijuar mund të ndikojnë në stabilitetin e rajonit.
“Kam përshtypjen se situata në Ballkan do të vijë vetëm duke u përkeqësuar dhe do të kthehet në atë fuçinë e barutit që quhej dikur”, deklaroi Muça në “Dekalog”.
Gazetari ngriti kritika edhe ndaj institucioneve të Kosovës, duke pretenduar se ish-drejtuesit e UÇK-së nuk janë mbështetur financiarisht në nivelin që kërkonte një proces i kësaj përmase. Ai solli si krahasim Kroacinë, për të cilën tha se kishte shpenzuar dhjetëra milionë euro për mbrojtjen juridike të një gjenerali.
Gjatë intervistës u përmendën gjithashtu shifra të mëdha që Muça ia atribuoi financimeve të Serbisë dhe Rusisë lidhur me procesin. /E.P-dritare.net