Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

PD çon në Kushtetuese marrëveshjen 302 milionë dollarëshe me SHBA. Bardhi: Ja 7 shkeljet!

Partia Demokratike ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen konfidenciale të huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila synon financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake për modernizimin e Forcave të Armatosura.

Deputeti Gazment Bardhi deklaroi se mazhoranca ka shkelur shtatë herë Kushtetutën gjatë procedurës së miratimit të marrëveshjes. Sipas PD-së, deputetëve iu mohua e drejta për t'u njohur me tekstin e marrëveshjes dhe raportin financiar përpara votimit, ndërsa ndryshimi i rendit të ditës dhe procedura e përshpejtuar nuk respektuan afatet e parashikuara nga rregullat parlamentare.

Partia Demokratike kundërshton gjithashtu argumentin e urgjencës për miratimin e marrëveshjes, duke pretenduar se qeveria kishte pasur kohë të mjaftueshme për ta ndjekur procedurën e zakonshme parlamentare.

Një tjetër pikë e ngritur nga opozita lidhet me të drejtën e të paktën një të pestës së deputetëve për t'iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese përpara ratifikimit të një marrëveshjeje. Sipas PD-së, miratimi i marrëveshjes brenda një kohe shumë të shkurtër e ka vështirësuar ushtrimin e kësaj të drejte.

PD ngre shqetësime edhe për karakterin konfidencial të marrëveshjes. Sipas opozitës, mosbërja publike e dokumentit dhe pamundësia për ta botuar në Fletoren Zyrtare krijojnë probleme kushtetuese lidhur me hyrjen e saj në fuqi dhe përfshirjen në sistemin e brendshëm juridik.

Bardhi theksoi se kundërshtimi i procedurës nuk lidhet me vetë qëllimin strategjik të marrëveshjes. Sipas tij, opozita e mbështet në parim modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, por kërkon që marrëveshje të tilla të miratohen duke respektuar Kushtetutën, transparencën dhe debatin parlamentar.

Tashmë pritet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike dhe të vlerësojë pretendimet e opozitës mbi mënyrën e miratimit të marrëveshjes së huasë me SHBA-në./L.F-dritare.net