Adnan Xholi kandidati i parë për Prokuror të Përgjithshëm
Dritare.net

Adnan Xholi është kandidati i parë që ka shprehur zyrtarisht interesin për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i SPAK ka dorëzuar kandidaturën e tij pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), duke hyrë kështu në garën për drejtimin e organit të akuzës.
Xholi nuk është një emër i panjohur për garat për drejtimin e institucioneve të drejtësisë. Ai ka kandiduar më herët në dy raste për postin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ndërsa ka mbajtur edhe detyrën e shefit të Seksionit Kundër Krimit të Organizuar në këtë institucion.
Afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e Prokurorit të Përgjithshëm përfundon më 1 gusht, në orën 00:00. Deri në përfundim të këtij afati pritet që në garë të regjistrohen edhe kandidatë të tjerë.
Pas mbylljes së aplikimeve, KLP do të nisë procesin e verifikimit të kandidaturave për të vlerësuar nëse aplikantët plotësojnë kriteret dhe kushtet e përcaktuara nga ligji. Ky proces pritet të përfundojë deri më 14 gusht.
Në përfundim të procedurës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do t’i propozojë Kuvendit tre kandidatë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Më pas, zgjedhja e kreut të ri të Prokurorisë do të bëhet nga Parlamenti, për një mandat 7-vjeçar.
Gara për këtë post zhvillohet në një moment të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë, pasi mandati i Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Olsian Çela, përfundon në muajin dhjetor.
Me dorëzimin e kandidaturës së Adnan Xholit, gara për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme tashmë ka nisur zyrtarisht, ndërsa në ditët në vijim pritet të mësohen edhe emrat e kandidatëve të tjerë që do të synojnë këtë post. /L.F-dritare.net