Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Po pilotonte me avion mbi centralin bërthamor, si u arrestua Ermal Beqiraj

Ermal Beqiraj, biznesmeni i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe i akuzuar nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të dosjes së AKSHI-t, është arrestuar në Francë pas një incidenti të pazakontë me një avion të vogël.

Sipas raportimeve të mediave franceze, arrestimi ka ndodhur të shtunën pasdite, pasi Beqiraj dyshohet se po pilotonte një avion të vogël që kishte fluturuar mbi zonën e termocentralit bërthamor Penly, në Seine-Maritime.

Raportohet se avioni ndodhej fillimisht në një lartësi prej rreth 3,700 këmbësh, ose afërsisht 1,200 metrash, përpara se piloti të ulte papritur lartësinë në rreth 3,500 këmbë, duke shkelur kufirin e përcaktuar për fluturimet mbi zona të ndjeshme.

Situata ka alarmuar autoritetet franceze, të cilat kanë aktivizuar procedurat e sigurisë. Sipas raportimeve, Forcat Ajrore dhe Hapësinore Franceze kanë dërguar një avion për ta shoqëruar mjetin fluturues drejt aeroportit Albert, në rajonin e Somme. Menjëherë pas uljes, piloti është arrestuar dhe është dërguar në paraburgim.

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me kontrollin trupor të Beqirajt. Sipas mediave franceze, në rrobat e tij janë gjetur tre pajisje AirTag, gjurmues të vegjël të prodhuar nga Apple. Ky zbulim dyshohet se ka bërë që hetuesit të shqyrtojnë edhe mundësinë që piloti të ketë vepruar nën presionin ose udhëzimet e një personi tjetër që mund të ketë porositur fluturimin.

Edhe deklarimet e dhëna nga Beqiraj para autoriteteve franceze janë cilësuar si të pazakonta. Ai dyshohet se ka pretenduar se kishte gabuar në përcaktimin e lartësisë së fluturimit dhe se gjatë kalimit mbi zonën e termocentralit ishte duke folur në telefon me nënën e tij.

Sipas raportimeve, itinerari i fluturimit ka ngritur gjithashtu pikëpyetje. Avioni ishte nisur nga qyteti i Albert dhe kishte fluturuar në drejtim të veriut, përpara se të kalonte përmes Brittany dhe më pas mbi zonën e termocentralit bërthamor Penly, një objekt me rëndësi të veçantë strategjike për Francën.

Pas verifikimit të identitetit të pilotit, autoritetet franceze kanë konstatuar se Beqiraj ishte në kërkim nga drejtësia shqiptare. Raportohet se ndaj tij është dhënë një dënim me kusht dhe një gjobë prej 7 mijë eurosh për fluturim të paligjshëm mbi zonën e termocentralit. Më pas, ai i është dorëzuar Zyrës Qendrore për Luftimin e Krimit të Organizuar (OCLCO), ndërsa pritet të nisë procedura për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Në Shqipëri, Ermal Beqiraj është pronar i kompanisë “Soft & Solution” dhe është një nga personat e përfshirë në hetimet e SPAK për dosjen e AKSHI-t. Sipas akuzave të ngritura nga organi i akuzës, ai dyshohet se ka përfituar tenderë me vlerë dhjetëra miliona euro, ndërsa hetimi lidhet edhe me pretendime për kërcënime ndaj një shoqërie të përfshirë në një prej procedurave të prokurimit.

Në kuadër të hetimeve, autoritetet shqiptare kanë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare që lidhen me Beqirajn. Mes pasurive të sekuestruara raportohet se janë prona dhe ndërtesa në Vlorë, Tiranë dhe Golem, biznese, automjete, një jaht luksoz, si dhe llogari bankare në emër të tij dhe të subjekteve të lidhura me të.

Në listën e pasurive të sekuestruara përmendet edhe jahti “Predator 50 Skyfall”, me një vlerë të raportuar prej afro 1 milion eurosh, i cili rezulton i regjistruar në emër të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”. Po ashtu, në fokus të hetimit janë edhe një truall në resortin “Green Coast” dhe një vilë luksoze në kompleksin “Rolling Hills”.

Beqiraj dyshohet për një sërë veprash penale, përfshirë “Konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqjen e paligjshme të lirisë”, “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Më vonë, ndaj tij është shtuar edhe akuza për korrupsion.

Arrestimi në Francë pritet të jetë një zhvillim i rëndësishëm në vijim të procedurave të drejtësisë shqiptare, ndërsa autoritetet pritet të ndjekin hapat ligjorë për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku do të përballet me akuzat e ngritura nga SPAK./L.F-dritare.net