
Oferta e Kurtit që nuk duhej refuzuar, për Kosovën
Dritare.net

Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar përfundimisht ofertën e Vetëvendosjes që të hyjnë së bashku në zgjedhje, dhe të garojnë nën një koalicion që fitoren e kishte të sigurtë edhe në bazë të shifrave të zgjedhjeve të 2017, por edhe nga fryma qytetare që ishte mjaft entuziaste për këtë koalicion.
Përtej faktit që koalicioni LDK-VV, e kishte të sigurtë fitoren, ajo që ishte akoma më entuziaste ishte se Partia Demokratike e Kosovës, do të mbetej pas shumë vitesh në opozitë, tanimë me struktura më të dobëta dhe një elektorat të zhgënjyer, të lodhur e të distancuar nga ta.
Gurin e fundit, pak para se të shkonte ora 00:00 e së premtes, kur duheshin regjistruar koalicionet e luajti Albin Kurti, me një propozim që e vendosi LDK me shpatulla pas murit, e që e provoi edhe një herë se më shumë sesa Kosovën, e do postin e kryeministrit.
Albin Kurti dhe Vetëvendosje, do të arsyetoheshin edhe nëse nuk do të hiqnin dorë nga posti i kryeministrit, sepse në bazë të rezultatit të 2017, Kurti rezulton si deputeti më i votuar në Kosovë me 143,642 vota, e ndjekur nga kandidatja e LDK, Vjosa Osmani me 64,131 vota.
Në bazë të shifrave, duke qenë të sigurtë për një fitore VV, tha që i pari i listës në koalicionin me LDK, të jetë pikërisht kandidatja e këtyre të fundit ndërsa bartës liste të jetë kandidati nga VV.
Duke qenë se VV, e kishte artikuluar më herët se një koalicion me këto kushte do ta dëmtonte LDK dhe VV, partia e Isa Mustafës e kishte pothuajse të sigurtë që lëvizja nuk do ta bënte një propozim të tillë, e kur ky propozim u konkretizua, nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta refuzonin me argumentet e Vetëvendosjes, të thënë disa ditë më parë nga numri 2 i VV, Glauk Konjufca, se një listë e tillë dëmton Vjosa Osmanin që do të mbante nr.1 dhe Albin Kurtin që do të mbante nr.2 dhe beteja në vend që të kthehej kundër koalicionit famëkeq PAN (PDK-AAK-Nisma) do të kthehej në luftë të brendshme, Vjosa Osmani-Albin Kurti.
Lidhja nuk do të marrë kurrë një propozim kaq të sinqertë, e kaq të drejtëpërdrejtë, pasi pas zgjedhjeve të 6 tetorit, do të detyrohet përsëri të bëjë koalicion me Vetëvendosjen, por që tanimë me kushtet e kësaj të fundit, pasi Albin Kurti të ketë mundur në një duel jo fort të vështirë Vjosa Osmanin.
LDK, do të mund të korrigjonte shumë gabime të qeverisë Mustafa, për të cilën Vjosa Osmani votoi që ta rrëzonte, nëse mesditën e së premtes do të pranonte ofertën e Albin Kurtit, jo vetëm për të qeverisur së bashku, por për ta lënë një herë e mirë në opozitë koalicionin famëkeq PAN, të kryesuar nga PDK.
Gjithsesi, në këto zgjedhje si rrallëherë forcat politike kryesore, do të matin përfundimisht forcat e tyre, e me 7 tetor LDK, do ta provojë jo vetëm që dëshiron të punojë për Kosovën, por që ka shkëputur përfundimisht lidhjet me PAN, dhe reforma e brendshme ka rezultuar efektive, duke e thirrur Albin Kurtin e duke i uruar atij postin e kryeministrit, dhe Vjosa Osmanit postin e kryetares së Kuvendit./ Dritare.net

















