Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nobeli në Ekonomi për dy amerikanë, Robert Hall dhe Michael Woodford

Nobeli në Ekonomi për dy amerikanë, Robert Hall dhe Michael

Robert E. Hall dhe Michael Woodford janë fituesit e Çmimit Nobel në Ekonomi për vitin 2026. Dy ekonomistët amerikanë u vlerësuan për kontributin e tyre në zhvillimin e modeleve që ndihmojnë qeveritë dhe bankat qendrore të stabilizojnë ekonominë dhe të përballojnë krizat.

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave njoftoi këtë të hënë, se çmimi u jepet dy studiuesve për “themelet mikroekonomike të stabilizimit makroekonomik”.

Hall është profesor në Universitetin Stanford, ndërsa Woodford jep mësim në Universitetin Columbia në Nju-Jork. Kërkimet e tyre kanë ndihmuar në zhvillimin e modeleve moderne ekonomike, duke u dhënë politikëbërësve mjete më të mira për të kuptuar luhatjet e ekonomisë dhe për të reaguar ndaj tyre.

Si ndihmojnë kërkimet e tyre në përballimin e krizave?

Modelet e zhvilluara nga dy ekonomistët mbështeten në mënyrën se si familjet dhe bizneset marrin vendime për shpenzimet, kursimet dhe çmimet, si dhe në ndikimin që pritshmëritë për të ardhmen kanë mbi ekonominë.

Këto modele ndihmojnë në hartimin e politikave monetare dhe fiskale në kohën e duhur, me synimin për të zbutur luhatjet ekonomike, përfshirë periudhat e rënies dhe të rritjes së shpejtë.

Sipas Akademisë Suedeze, puna e tyre ka krijuar një bazë të qëndrueshme teorike për modelet që përdoren sot nga bankat qendrore dhe qeveritë në mbarë botën. Këto modele janë të rëndësishme edhe për përballimin e goditjeve ekonomike, si krizat energjetike dhe ndryshimet e papritura në konsumin e familjeve.

Çmimi, i njohur zyrtarisht si Çmimi i Bankës Qendrore të Suedisë në Shkencat Ekonomike në Kujtim të Alfred Nobelit, kap vlerën e 12 milionë koronave suedeze, rreth 1,2 milionë dollarë, shumë që do të ndahet në mënyrë të barabartë mes dy fituesve.

Ndryshe nga çmimet origjinale Nobel, çmimi në Shkencat Ekonomike u krijua në vitin 1968 nga Banka Qendrore e Suedisë dhe u dha për herë të parë në vitin 1969./dritare.net