Na ndiqni edhe në

Dekalog nga Roland Qafoku

Njihuni me gjyqtarët që do të vendosin fatin e krerëve të UÇK-së!

Vetëm pak orë ndajnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin nga vendimi i shumëpritur i Gjykatës Speciale në Hagë. Verdikti është caktuar të shpallet më 16 shtator, në orën 10:00, ndërsa sytë janë edhe te tre gjyqtarët që kanë në dorë vendimin për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.

Trupi Gjykues II përbëhet nga gjyqtari amerikan Charles Smith III, i cili është kryesues, gjyqtari gjerman Christoph Barthe dhe gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux. Pjesë e panelit është edhe irlandezi Fergal Gaynor, por në cilësinë e gjyqtarit rezervë.

Pikërisht për përbërjen e trupit gjykues foli Astrit Huskaj, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në DritareTV.

Sipas Huskajt, vendimi do të jetë në duart e tre gjyqtarëve të rregullt të panelit, ndërsa ai pretendon se informacionet që disponon tregojnë se gjyqtari amerikan Charles Smith III është në favor të pafajësisë së ish-krerëve të UÇK-së.

“Në trupën gjykuese janë katër gjyqtarë, mirëpo në vendim do të merren tre. Kryetari i trupës gjykuese është Charles Smith”, tha Huskaj.

Ai shtoi se, sipas informacioneve që disponon, pikëpyetja më e madhe qëndron te votat e dy gjyqtarëve të tjerë.

“Problemi te trupa gjykuese është dy me një. Problemi nuk është tek amerikani. Problemi ekziston te dy gjykatësit e tjerë”, deklaroi Huskaj.

I pyetur nga Roland Qafoku nëse është i sigurt se gjyqtari amerikan do të votojë “i pafajshëm”, Huskaj u përgjigj se ky është informacioni që ai ka marrë.

“Informatat që i kemi, ai e ka dhënë vendimin e vet, që do të thotë është për ‘i pafajshëm’, jo për ‘i fajshëm’. Mirëpo problemi është te këta dy gjykatësit e tjerë”, tha ai.

Huskaj ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi qëndrimin që mund të mbajë gjyqtari gjerman Christoph Barthe, duke e lidhur këtë me faktin se Gjykata Speciale është mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, pas më shumë se një dekade nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2015 që i hapën rrugë krijimit të Dhomave të Specializuara, një shpallje e të katërve të pafajshëm do të shihej si dështim i madh politik i procesit.

“Pas 11 viteve, nëse dalin të gjithë të pafajshëm, është një dështim total i Evropës”, u shpreh Huskaj në “Dekalog”.

Zyrtarisht, Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin do të shpallet më 16 shtator 2026, në orën 10:00. Seanca do të jetë publike./K.C/dritare.net