
15-vjeçarja shqiptare mes viktimave të sulmit në një shkollë në Austri!
Dritare.net
Të paktën 10 persona kanë humbur jetën, përfshirë autorin e krimit, pas një sulmi me armë zjarri që ndodhi mëngjesin e djeshëm në një shkollë të mesme në qytetin Graz, një nga qytetet më të mëdha në Austri. Ngjarja e rëndë ka tronditur thellë opinionin publik dhe autoritetet vendase.
Sipas raportimeve nga mediat austriake dhe burime zyrtare, sulmuesi është identifikuar si një 21-vjeçar, ish-nxënës i shkollës “BORG Dreierschützengasse”, i cili hyri në ambientet e shkollës i armatosur me armë zjarri dhe hapi zjarr ndaj nxënësve dhe stafit mësimor. Ai më pas kreu vetëvrasje brenda ndërtesës.
Ndër viktimat është konfirmuar edhe një vajzë nga Kosova, Lea Bajrami, vetëm 15 vjeç. Ajo ishte nxënëse në këtë shkollë dhe ndodhej në klasë në momentin e sulmit. Lajmi është konfirmuar nga familjarët e saj, të cilët kanë shprehur dhimbje të thellë për humbjen e vajzës së tyre.
Në këtë sulm mbetën të plagosur edhe 12 persona të tjerë, disa prej tyre në gjendje kritike. Policia austriake ka deklaruar se ndërhyrja ndodhi brenda 17 minutash nga thirrjet e para për ndihmë, duke parandaluar një tragjedi edhe më të madhe.
Autoritetet vendore kanë shpallur tre ditë zie në Landin e Styrisë, ndërsa në mbarë Austrinë janë ndezur debatet për sigurinë në shkolla dhe kontrollin e armëve të zjarrit. Po ashtu, nxënësve dhe stafit u është ofruar ndihmë psikologjike.
Zyrtarë të lartë të shtetit, përfshirë kancelarin dhe ministrin e Brendshëm, kanë shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe kanë premtuar hetim të plotë të ngjarjes.
Komuniteti shqiptar dhe ai kosovar në Austri janë solidarizuar me familjen Bajrami, ndërsa në rrjetet sociale janë shpërndarë mesazhe të shumta ngushëllimi dhe mbështetjeje./L.F-dritare.net

















