
Thirrja e guidës për shtetin: Kthejeni tunelin e fshehtë të Beratit në pikë turistike!
Dritare.net
Një vendstrehim i fshehtë ndodhet nën Kalanë e Beratit, është një tunel antibërthamor me disa nëntunele dhe 50 dhoma gjigante. Ky tunel pothuajse e ka humbur funksionin e tij, pasi është shkatërruar në brendësi, dyer dhe hekura që janë vjedhur dhe shitur për skrap, mbeturina gjithandej. Pra ky tunel, i ndërtuar nga Enver Hoxha, me qëllim që të kthehej në spital në rast lufte në Shqipëri, sot është e shkretuar.
DritareTv ishte brenda tunelit dhe tregoi si është gjendja e tij. Guida që na e tregoi vendin, zoti Fatjon Kora i bën thirrje shtetit që të bëjë një investim në këtë tunel, që të kthehet në atraksion turistik, sepse është gjynah të shkojë dëm gjithë ky investim i bërë në një nga vendet më të vizituara në Shqipëri.
“Tuneli filloi të shkatërrohet në 1997-ën, sepse njerëzit tentuan të marrin materiale për t’i shitur. Por nuk duhet të lihet në këtë gjendje të degraduar. Pasi nuk u mbajt më nga ushtria, tuneli u përdor si magazinë, si vendstrehim për të pastrehët, si punishte arkivolesh. Tani përdoret nga bashkia për të vendosur zbukurimet e Vitit të Ri.
Por mund të shkojë kështu dëm gjithë ky investim. Nëse qeveria investon pak për ta rregulluar dhe ky vend kthehet në atraksion turistik, atëherë tuneli mirëmbahet vetë, nga fitimet që do nxjerrë. Nëse pasuria që kemi lart, pra Kalaja e Beratit, lidhet me tunelin, ky vend do tërheqë shumë turistë”, thotë guida e DritareTV./K.C/ dritare.net

















