
Kush e vodhi tunelin antibërthamor në Berat!
Dritare.net
Një vendstrehim sekret fshihet nën Kalanë e Beratit. Tuneli antibërthamor i ndërtuar nga Enver Hoxha. DritareTV hyri brenda dhe tregoi se si duket ky tunel me disa nëntunele dhe 50 dhoma të fortifikuara. Ky tunel do të shërbente si spital në rast të ndonjë luftë në Shqipëri.
Tuneli e pësoi nga 1997-ta si shumë pasuri të tjera të Shqipërisë. U vodhën materialet e ndërtimit, hekurat, telat e energjisë, të ventilimit dhe të tjera. Fatjon Kora i bën thirrje shtetit që të bëjë një investim në këtë tunel, që të kthehet në atraksion turistik, sepse është gjynah të shkojë dëm gjithë ky investim i bërë në një nga vendet më të vizituara në Shqipëri.
“Tuneli filloi të shkatërrohet në 1997-ën, sepse njerëzit tentuan të marrin materiale për t’i shitur. Por nuk duhet të lihet në këtë gjendje të degraduar. Pasi nuk u mbajt më nga ushtria, tuneli u përdor si magazinë, si vendstrehim për të pastrehët, si punishte arkivolesh. Tani përdoret nga bashkia për të vendosur zbukurimet e Vitit të Ri.
Por mund të shkojë kështu dëm gjithë ky investim. Nëse qeveria investon pak për ta rregulluar dhe ky vend kthehet në atraksion turistik, atëherë tuneli mirëmbahet vetë, nga fitimet që do nxjerrë. Nëse pasuria që kemi lart, pra Kalaja e Beratit, lidhet me tunelin, ky vend do tërheqë shumë turistë”, thotë guida e DritareTV./K.C/ dritare.net

















